Rend dhe Ligj

Trafikoi 1 ton kanabis drejt Italisë, arrestohet në Francë ish-truproja e Saimir Tahirit

Gazeta Si – Paul (Agustin Deda), ish-truproja e ish-ministrit të BRendshëm Sajmir Tahiri është arrestuar në Francë, i dënuar si një pjesëtar i një organizate kriminale në Shqipëri.

50-vjeçari shpallur në kërkim për trafikim të mbi 1 ton kanabis dhe u kap në kuadër të operacionit “The Ëanted”, pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Tiranën dhe homologët në Paris.

“Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi Paul Deda, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë, kanë tentuar të trafikojnë në Itali, nëpërmjet rrugës detare, 1016 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa të kultivuar në Shqipëri. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në Bari, nga Policia italiane, ku gjithashtu u arrestuan 2 pjesëtarë të kësaj organizate kriminale”, njoftoi policia.

Deda është ish-truproja i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai rezulton i dënuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme me 8 vite heqje lirie për trafik droge dhe grup kriminal.

Ai u mor i pandehur bashkë me Hekuran Markun, po ashtu, ish-shoqërues i Tahirit dhe i dënuar në kuadër të dosjes së njohur “Shpirti”.

Deda dhe Marku u akuzuan  si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari. Ky grup akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike në sasi të mëdha në vitet 2017-2018.

Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar me italianë dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Deda kërkoi azil politik në Francë, por siç duket është refuzuar dhe tashmë pritet të ekstradohet në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë