Ekonomi

Kur do të rritet çmimi i energjisë?

Sabina Veizaj – Çmimi i energjisë elektrike do të rritet pas tre vitesh. Plani strategjik për reformimin e Sektorit të Energjisë në Shqipëri i miratuar nga qeveria dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare më datën 19 dhjetor, parashikon ristrukturim të të gjithë sektorit të energjisë elektrike, përfshirë edhe sistemin e tarifimit.

Ministria e Energjetikës, e pyetur nga Gazeta “Si” se kur, si dhe sa parashikohet të ndryshojë çmimi i energjisë elektrike në vitet në vazhdim, e mohon në mënyrë absolute rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë.

Por në strategjinë për reformimin e sektorit citohet se “Kuadri i ri ligjor dhe rregullator synon të adresojë një gamë të gjerë të çështjeve të sektorit të energjisë, duke përfshirë reformat institucionale, nxitjen, rritjen e efikasitetin e energjisë dhe kapacitetin prodhues të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, krijimin e sistemit të ri të tarifave të energjisë elektrike, zhvillimin dhe vendosjen e një tregu të organizuar të energjisë elektrike dhe integrimin e një tregu shqiptar të energjisë elektrike me tregjet më të gjera rajonale të energjisë elektrike dhe së fundi tregun e brendshëm të energjisë elektrike të BE-së.”

Dokumenti në fjalë tregon se, brenda tremujorit të parë të vitit 2019, institucionet kompetente; enti rregullator, qeveria dhe Ministria e Energjisë, do të miratojnë hapat që duhen ndërmarrë për liberalizimin e tregut dhe derregullimin e çmimeve të energjisë.
Procesi do të bëjë të mundur që të gjithë konsumatorët e lidhur në tensionin e ulët, përveç familjeve, të dalin nga tregu i rregulluar i energjisë. Kjo do të thotë që ata nuk do të furnizohen më me çmim të rregulluar siç veprohet aktualisht, por do ta blejnë energjinë në treg të lirë me çmimet që vendos tregu.

Reforma, citohet në dokument, ka të ngjarë të çojë në çmime më të larta, që mund të rezultojë në disa shqetësime publike.

“Megjithatë, do të jetë thelbësore për të komunikuar se çmimet për energji elektrike janë vetëm më të larta në sipërfaqe, d.m.th. çmimet aktuale të ulëta subvencionohen përmes taksave dhe buxhetit të shtetit në një mënyrë të vështirë dhe të ndërlikuar dhe në të njëjtën kohë rezulton në nëninvestime në infrastrukturë, duke dërguar një faturë gjithnjë në rritje për furnizimin me energji për brezat e ardhshëm. Për më tepër, reforma, si e tillë, parashikon krijimin e skemave të përkohshme dhe të përhershme mbështetëse për akomodimin e interesave të grupeve në nevojë nga ndikimet negative të reformës dhe “varfërimit nga energjia” – e thënë ndryshe “efektet që sjell ndryshimi me rritje i çmimit të energjisë elektrike”, si dhe mbështetjen e prodhuesve të energjisë së rinovueshme.
Plani shpjegon me detaje hapat dhe të gjitha masat që do të ndërmerren, gjithashtu edhe afatet kohore përkatëse. Dokumenti i planit strategjik tregon se, skema e re tarifore do të miratohet në fund të vitit të ardhshëm deri në tremujorin e tretë të vitit 2020 dhe po në këtë periudhë të përcaktuar qeveria do të miratojë skemën mbështetëse për konsumatorët në nevojë.

Hapat e reformës përfshijnë, ndër të tjera, hapin e parë drejt ndarjes së OSHEE-së, furnizuesit të vetëm e universal të Shqipërisë dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, krijimin e një shoqërie shqiptare të shkëmbimit të energjisë (APEX) dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues me shumicë.
“Ndarja vertikalisht e kompanisë së integruar të shpërndarjes OSHEE, qasja transparente dhe jodiskriminuese (dhe tarifat) për sistemet e transmetimit dhe shpërndarjes, një rregullator i fortë i pavarur, çmime të vendosura në mënyrë të pavarur, konkurruese dhe transparente, si dhe skemave të mbështetjes për kategori vulnerabël të drejta, transparente, jodiskriminuese dhe minimale në mbështetje të tregut për klientët në nevojë të shoqërive dhe për prodhuesit e energjisë së rinovueshme”, citohet në dokumentin e qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë