Drejtësia

Fraksioni i dosjes ‘5D’, shpallen fajtorë zyrtarët e Bashkisë Tiranë, por asnjë nuk shkon në burg!

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin përfundimtar ndaj zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, fraksioni i dytë i dosjes “5D”, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tenderë dhe procedura publike”.

Por pavarësht nga dënimet, asnjë prej tyre nuk do të vuajë asnjë ditë në qeli, pasi u është konvertuar në shërbim prove apo me dhjetëra orë pune të detyruar në interes publik.

Debora Keçi dënohet me 1 vit burg, me gjykim të shkurtuar 8 muaj burg. Vendimi pezullohet dhe zëvendësohet me shërbim prove 16 muaj, heqje e masës së sigurimit detyrim paraqitje. Gjithashtu i hiqet e drejta të mbajë funksione publike për 5 vite.

Teuta Guri dënohet me 9 muaj burg, përfundimisht 6 muaj. Vendimi pezullohet dhe zëvendësohet me punë në interes publik, pa shpërblim, 60 orë, brenda 6 muajsh.

Renaldo Gjerasi dënohet me 9 muaj burgim, përfundimisht 6 muaj burg. Pezullim i dënimit me burg dhe zëvendësim me 60 orë punë në interes publik brenda 6 muajsh.

Etion Mera dënohet me 9 muaj burg, përfundimisht me 6 muaj burgim, pezullim i dënimit dhe zëvendësim me 60 orë punë në interes publik, brenda 6 muajsh.

Dënimi është në përputhje me pretencën e Prokurorisë së Posaçme, dhënë në prill të këtij viti. Gjatë dhënies së saj, prokurori Klodian Braho tha se është marrë parasysh vlera e vogël e prokurimit, 3 milionë lekë, ku ishte përfitues i kontratës publike Shoqëria “5D” për dy tendera, njëri i “Tirana parking” dhe tjetri për rikonstruksionin e një palestre.

Këto vendime janë dhënë për 4 të pandehur nga një prej dy grupeve në total të të pandehurve për aferën “5D”.

Në këtë fraksion, janë janë ish-anëtarët e Komisionit të Ofertave, ndërsa në të parin ndodhen ish-drejtorët e pandehur të Bashkisë Tiranë.

Në njoftimin e SPAK në fund të marsit, thuhej se Redi Molla, për gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit në “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” dhe Mariglen Qato, gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT, kanë shpallur fitues shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tenderë.

SPAK thotë se ka prova që kjo shoqëri zotërohej nga 3 persona, të cilët ishin ortakë fiktivë, ndërsa ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto”, ishin Mariglen Qato dhe Redi Molla, të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore. SPAK deklaroi se kompania është shpallur fituese në këto tenderë që nga viti 2016 deri në 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë