Kosova

SHBA-ja, Gjermania dhe Britania: Presim nga Qeveria e re e Kosovës përparim në dialog

Nga Gazeta ‘Si’- Besimi i ndërsjellë, koordinimi dhe bashkëpunimi, si dhe përparimi në dialogun me Serbinë janë disa nga pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar nga Qeveria e re e Kosovës.

Këto tri shtete, së bashku me Italinë dhe Francën, bëjnë pjesë e grupit të shteteve që njihen si QUINT. Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ambasadën e Italisë dhe Francës lidhur me pritjet e tyre nga ekzekutivi i ri i Kosovës, por këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës, në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Konstituimi i Kuvendit do t’i hapë rrugën për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja për një kohë të gjatë e ka mbështetur Kosovën në rrugën e ndërtimit të një shteti sovran, demokratik, multientik dhe prosperues.

“Presim të punojmë me Qeverinë e re të Kosovës për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se pret që më 15 prill të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke hapur kështu rrugën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane deklaroi se pret gjithashtu “vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Kosovën dhe qeverinë e saj të ardhshme”, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

“Për ta arritur këtë, nevojitet besim i ndërsjellë dhe bashkëpunim i vazhdueshëm. Gjermania mbetet e bindur se qeveria e ardhshme do të forcojë koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të punojë për përparim të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke ndihmuar në realizimin, sa më shpejt, të perspektivës evropiane të Kosovës”, tha Ambasada gjermane.

Gjermania shtoi se afrimi i mëtejmë i Kosovës me BE-në është “qëllimi ynë i përbashkët, forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit si dhe përparimi thelbësor në dialogun për normalizim me Serbinë, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit me anekset përkatëse, janë çështje që duhen arritur”.

Ambasada britanike në Prishtinë deklaroi se shpreson që Qeveria e ardhshme e Kosovës të adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe përparimin sa i përket integrimit të serbëve dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Mbretëria e Bashkuar e mbështet pa asnjë rezervë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shpreson që ajo të mund t’i përmbushë sa më shpejt kërkesat e të tjerëve”, tha Ambasada britanike në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë pengesa kryesore për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Qeveria Kurti ka qenë hezituese për formimin e Asociacionit, duke shprehur frikën se mund të minojë sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë