Nga Gazeta Si- Adoleshentët shqiptarë, si kudo në botë moshatarët e tyre, përballen në përditshmërinë e tyre me konflikte që nisin në shkollë e përfundojnë në rrjetet sociale ose anasjelltas.
Këtë e tregojnë shifrat e raportuara nga Alo 116, linja kombëtare e telefonit për fëmijë e cila në 3-mujorin e parë të këtij viti, ka regjistruar 2807 thirrje të fëmijëve e adoleshentëve që kanë denoncuar dhunën fizike, bullizmin në shkollë dhe online.
Sipas një raporti zyrtar të Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, në 3-muajt e parë të këtij viti, 9 telefonata kanë patur si shkak bullizmin në shkollë.
Gjatë muajit mars, u regjistruan dhe 13 denoncime për bullizmin online, panoramë që tregon se situata në shkollë vijon të mbetet problematike sa i takon raporteve që krijojnë adoleshentët me njëri-tjetrin.
“Në muajin janar 2025 u regjistruan 849 telefonata, nga të cilat 9 raste i referoheshin bullizimit online dhe 1 rast bullizim në shkollë”, thotë për Gazetasi.al Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës kombëtare për të drejtat e fëmijëve CRCA.

Ai tregon se në muajin shkurt u regjistruan 954 telefonata nga të cilat 15 ishin denoncime për bullizim e ngacmim në rrjetet sociale dhe 2 raste bullizim mes adoleshentëve në shkolla.
E teksa në shumë vende të zhvilluara, seriali i “Netflix” “Adoleshencë” ka tronditur opinionin shoqëror si Britania e Madhe, duket se në Shqipëri shoqëria jonë vijon të jetë apatike ndaj kësaj situate që në disa raste ka prodhuar dhe viktima adoleshentë të vrarë, pikërisht nga konfliktet e nisura në rrjetet sociale.
Hazizaj shprehet se uron që çdo prind ta shohë patjetër serialin “Adoleshenca”, për të hyrë në botën online të fëmijëve të tyre, por edhe për të kuptuar se pse kaq shumë të rinj kanë probleme të shëndetit mendor, të vetëvlerësimit të ultë apo të lartë, të dhunës e bullizmit.
“Është një botë që ne të rriturit e krijuam, por që tashmë e kemi humbur kontrollin e saj, por edhe të fëmijëve”, thotë Hazizaj teksa e quan situatën aktuale në vendin tonë, një situatë emergjente që kërkon ndërhyrje kapitale nga të gjitha institucionet.
Shqiptarët apatikë, shoqëria me memorie të dobët, reagime vetëm në Facebook
E teksa, prindërit e fëmijëve adoleshentë pranojnë situatën në të cilën ndodhet sot shkolla, familja, shoqëria, pak prej tyre përpiqen ta njohin botën e fëmijës së tyre.
Nuk ka kaluar shumë kohë nga fatkeqësia e radhës, ku një adoleshent, Martin Cani u vra në dyert e gjimnazit nga bashkëmoshatari i tij dhe sërish nga ana e institucioneve përgjegjëse nuk ka ndryshuar asgjë.
Hazizaj e sheh problemin tek familja së pari, që sipas tij ka humbur të gjithë kuptimin.
Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi vetë familja sot gjendet pa mbështetje, as nga bashkia dhe as nga qeveria.
“E dyta, Shqipëria ka një problem të jashtëzakonshëm me mungesë shërbimesh sociale që për familjen janë të rëndësishme”, thotë Hazizaj, duke shtuar se që nga zgjidhja e konflikteve në çift deri tek kujdesi i fëmijëve apo kujdesi i shëndetit mendor është një situatë emergjente, e rëndë që pa ndërhyrje të madhe, pa një program të madh kombëtar që zgjidh përfundimisht çështjen e mbështetjes financiare të familjes, në aspektin financiar, dhe atë të shërbimeve shoqërore, “ne do të vazhdojmë gjithnjë e më shumë te kemi probleme serioze të menaxhimit të fëmijëve, të të rinjve në familje”, thotë Hazizaj.
Përpos kësaj, sipas tij, institucionet shqiptare janë ende të dobëta, mungon cilësia e arsimit dhe mungojnë arsimtarët e mirë.
“Kemi në tërësi sisteme që nuk kujdesen dot as për familjen, as për asdoleshentët. Sot kemi adoleshentë që ndjehen të sulmuar nga të gjithë krahët, pasi duke qenë në internet, edhe pse u duket e bukur, dhe që mund ta manipulojnë apo kuptojnë, është botë e vështirë. Është botë e vështirë dhe për ne të rriturit jo më për fëmijët që duhet të bëjnë zgjidhje dhe duhet të kuptojnë realitetin online, dhe të kuptojnë se një pjesë e këtij realiteti është i gënjeshtërt. Askush nuk e di më se ku po shkojmë”, thotë për Gazetasi.al, Altin Hazizaj.
Edukata seksuale, ende një lëndë tabu në shkolla
Psikologët thonë se mungesa e lëndës së Edukatës seksuale në shkollë, ka bërë që djemtë adoleshentë të shohin porno që në moshën 13-vjeç, duke u marrë e mirëqenë dhe nga prindërit.
‘Edhe sikur të bëjnë këtë lëndë në shkollë, ajo s’duhet të përfundojë me kaq, por biseda duhet të vazhdojë dhe në shtëpi, gjë që nuk ndodh, pasi familjet tona kanë shumë problem mes të cilave dhe mentaliteti dhe kufizimet e bisedave me fëmijët adoleshentë, në raportet baba-djalë dhe nënë-vajzë. Nëse nuk flitet me fëmijën për këto tema, do të jenë të tjerë që do të nxisin fëmijën tuaj të informohet në forma të tjera, siç janë pornografia apo grupe në internet që “peshkojnë” fëmijë të rritur nga prindër indiferentë”, thonë psikologët.
Në fund të gjithë bien dakord, se pa punën e familjes së pari, shkollës e shërbimeve sociale që duhet të shtohen për të rinjtë, situata vetëm sa do të thellohet dhe fundin askush nuk di ta thotë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.