Nga Gazeta ‘Si’- Peter Sorensen, emisari i ri i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, sot do të qëndrojë për herë të parë në Kosovë.
Ai u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani ndërsa do zhvillojë takime edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Për Kurtin, ky do të jetë takimi i dytë me Peter Sorensen. Në një takim të mëhershëm ai i ka paraqitur Sorensenit kushtet për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Sa i përket raporteve me Serbinë, Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj.
Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiç, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja. Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiç dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiç, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.
Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar diplomatin nga Danimarka, Peter Sorensen për pozitën e përfaqësuesit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Kaja Kallas, shefja e re e diplomacisë evropiane zgjodhi Sorensen për ta zëvendësuar emisarin aktual, Miroslav Lajçak për këtë pozitë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



