Nga Gazeta ‘SI’ – Në një letër publike drejtuar partive politike disa shoqata biznesi ju propozojnë që pjesë e programeve qeverisëse ndër të tjera dhe që Tips (bakshishi) të bëhet i detyrueshëm me ligj. Që do të thotë sa herë paguan një kafe, përveç çmimit, qytetari do të paguajë edhe një çmim shtesë që i shkon si bakshish stafit ( kamarierit, banakierit, etj). Ky, thotë biznesi është një model që funksionon në SHBA.
Logjika e këtij propozimi është e kuptueshme ndonëse jashtë kontekstit shqiptar. Biznesi nuk vihet në presion e rritjes së pagës, bakshishi nuk mbetet në dëshirë të konsumatorit dhe punonjësit garantojnë me ligj një të ardhur shtesë. Kështu biznesi i shpëton shpenzimeve dhe taksave dhe në rrogën e munguar të stafeve ta paguajë shtesë konsumatori përmes bakshishit të detyruar.
Ky propozim është strukur mes disa propozimeve të tjera që në fakt kanë sens për t’u konkretizuar dhe nuk duhen injoruar nga politika. Por të futësh këtë propozim në ombrellën e argumentit se nxit dhe forcon ekonominë vendase, fillon e bëhet qesharake. KY propzoim që rrit çminin final të shërbimit apo produktit, propozohet si i motivuar nga shqetësimi i supozuar se pikërisht këto biznese po ndihen të kërcënuar nga konkurrenca botërore dhe rritja e çmimeve. Të propozosh çmim final më të rritur konsumatorit më të varfër të Europës, e në sezon vere, nuk ka nevojë shumë të mendohesh se s’ka zot që e kapërdinë si logjikë. Në këtë moment kur të këta aktorë të rëndësishëm të ekonomisë duhet të jenë seriozë sepse u vjen koha në të pakta raste të dëgjohen nga politika, që është në prag të zgjedhjeve dhe i duhet vota, ata bëhen qesharakë.
Ka propozime dhe të tjera që qëllojnë thellësisht klienteliste dhe që shkojnë në favore të ndërtuesve të cilët sot propozojnë më pak taksa edhe pse çmimet janë disafishuar. Këto propozime qëllojnë si mall kontrabandë mes atyre pak propozimeve me vlerë.
Ka kohë që edhe elita e biznesit dhe përfaqësimi i tyre në shoqata, nuk mund t’i përgjigjet realiteteve të reja. Ka mbetur po ajo kastë e vjetër jo vetëm në kohë por edhe në ide. Duhet pranuar se korrupsioni më i rëndë për një komb është korrupsioni i ideve. Ai nuk të merr vetëm paratë por edhe të ardhmen. Lista e propozimeve të biznesit ngjan hiç më pak se lista e mbyllur e kandidatëve, d.m.th propozime thellësisht individualiste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.