Nga Gazeta ‘Si’- Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili doli i dyti më i votuar nga radhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 9 shkurtit, në një prononcim për gazetën italiane OBCT ka folur për procesin e krijimit të qeverisë së re.
Teksa teoritë që qarkullojnë janë edhe për një koalicion të mundshëm me një prej rivalëve, si Nisma e Fatmir Limajt apo LDK, Konjufca ka thënë se qeveria mund të arrihet duke bashkëpunuar me pakicat jo-serbe.
“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat jo-serbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka pasur një efekt pozitiv në Kosovë, duke e penguar Listën Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë fuqi vendimtare siç ka pasur në qeveritë e kaluara”, tha Konjufca për OBCT.
Ai është kujdesur që të kritikojë edhe opozitën, duke e përshkuar gjuhën e tyre përkundrejt Vetëvendosjes dhe qeverisë si “qëndrime obstruksioniste, sulme agresive dhe goditje të ulëta”.
“Nëse lind nevoja do të mblidhemi si lidership dhe do të vendosim për hapat e mëtejshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë mbajtur qëndrim pengues. Sulmet ndaj Vetëvendosjes kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft jokonvencionale, me shumë akuza të padrejta dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka deklaruar Konjufca.
Subjektet opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit.
Por, kreu i Nismës – parti që garoi në koalicion me AAK-në dhe disa parti të tjera – Fatmir Limaj, ka deklaruar se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë aktuale në opozitë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



