Drejtësia

Inceneratori i Tiranës, Alqi Bllako kërkon pafajësi në gjyq: SPAK nuk ka provuar asnjë shkelje ligjore

Gazeta Si – Ish-deputeti i PS, Alqi Bllako, nën hetim nga SPAK për inceneratorin e Tiranës, ka kërkuar pafajësi në Gjykatën e Posaçme.

Një javë pasi SPAK kërkoi dënimin e tij me 5 vite burg për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë” në dy raste pas pranimit të shqyrtimit të çështjes së tij me gjykim të shkurtuar, ish-deputeti socialist është deklaruar i pafajshëm gjatë seancës së sotme.

Bllako ka theksuar se nuk ka pasur asnjë rol në dhënien e koncesionit: “Në momentin e hapjes së ofertave, unë kam qenë i zhveshur nga kompetencat”, – shtoi ai.

“Unë deklarohem tërësisht i pafajshëm pasi nuk përmbushen asnjë nga kriteret ligjore sa i përket figurës së veprës penale te korrupsionit pasiv, e kryer në dy raste. Organi procedues nuk ka arritur të provojë asnjë shkelje ligjore nga ana ime në lidhje me detyrën time funksionale. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka pasur asnjë rol në këtë procedurë, madje s’kam marrë pjesë as si vëzhgues në mbledhjen e komisionit për dhënien e koncesionit. Së dyti vetëm anëtareve të KVO u është kërkuar të plotësojnë deklarata e konfliktit të interesit, ndërkohe që unë si Sekretar i Përgjithshëm nuk kam pasur asnjë detyrë. Organi procedues pretendon se unë kam ndërhyrë tek Zoto për të punësuar Vladimir Bezhanin. Ky i fundit është punësuar në nëntor të 2014. Ndërsa ideja për ndërtimin e impiantit të Tiranës, ka nisur në dhjetor 2015. Procedura ka nisur në 2016 dhe kontrata është lidhur në gusht të 2017. Zoti Bezhani nuk është pjesë e rrethit tim shoqëror, as familjarë, unë se kam njohur për herët zotin Bezhani, por në 2017 kur kam nisur punën si sekretar i përgjithshëm në ministrinë e Mjedisit”, tha Bllako.

SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme të dënojë me 5 vit burg ish deputetin socialist Alqi Bllako dhe ta shpallë atë fajtor për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendor.

Kjo kërkesë u paraqit gjatë seancës për koncesionin e inceneratorit të Tiranës. Nëse Bllako do të dënohet nga GJKKO, ai do të përfitojë ulje të dënimit me 2 të tretën. Sipas Prokurorisë, Bllako gjithashtu nuk duhet të ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Alqi Bllako dyshohet se ka përfituar 119 mijë Euro në mënyrë të parregullt. Sipas SPAK, këto para i ka përfituar në dy raste pagesash.

Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të tij, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me një pagesë që ka kërkuar për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën dhe të ndihmonte në procedurat koncesionare.

Për inceneratorin e Tiranës disa ditë më parë prokurorët e SPAK lexuan pretencën edhe për 11 zyrtarë të tjerë, mes tyre dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ata po gjykohen në një tjetër çështje, ndërsa në kërkim janë dhe 8 persona të tjerë.

Zyrtarët që akuzohen për shpërdorim detyre dhe të shpallurit në kërkim sipas SPAK, kanë vepruar si grup kriminal në krye të të cilit qëndronte Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë