Drejtësia

U hetua për shpërdorim detyre, GJKKO pushon çështjen për kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen ndaj kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili u hetua nga SPAK për shpërdorim detyre.

Kërkesën për pushimin e hetimeve e bëri vetë Prokuroria e Posaçme, pasi argumentoi se nuk ishin gjetur shkelje të kryera nga Ndreu.

Kreu i Bashkisë së Lezhës u kallëzua nga Partia Demokratike në vitin 2023 lidhur me ndërtimin e rrugës Lezhë-Shëngjin, ku pretendohej se ndërhyrja është bërë në kundërshtim me ligjin pasi vendi ishte në periudhë elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Madje PD pretendonte se edhe ARRSH i kishte dërguar shkresë Ndreut për ndalimin e punimeve, pasi ishte nën juridiksionin e këtij institucioni të kryente punimet.

Por kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu paraqiti në SPAK raporte me anë të të cilave argumentoi ndërhyrjen në rrugë për shkak të problematikave dhe ankesave të qytetarëve si pasojë e numrit të lartë të aksidenteve.

Brenda pak ditësh, Ndreu është kryebashkiaku i dytë socialist që shpallet i pafajshëm nga GJKKO, pasi më herët u pushua çështja edhe për kryebashkiakun e Libohovës, Leonard Hide, i cili akuzoherj se kishte lejuar kultivimin e parcelave me kanabis kur ishte shef komisariati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë