Gazeta Si- Seanca paraprake në GJKKO ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”, është shtyrë sërish më 13 mars.
Mësohet se në këtë proces është i pranishëm vetëm subjekti juridik “HomePlan shpk”, i cili do të bëjë mbrojtjen.
Noterja Andia Pustina, e përfshirë në hetimet e SPAK dhe përfaqësuesit e kompanisë së ndërtimit “Homeplan” kanë paraqitur argumentet e tyre mbrojtës para gjykatës mbi këtë çështje.
Kështu, më 13 mars do të jetë gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila do të shprehet për kalimin ose jo në gjykim të dosjes.
Pak ditë më parë, ish-Kryeministri Sali Berisha i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë, ku kërkon të heqë masën “detyrim për t’u paraqitur”, caktuar nga Gjykata e Posaçme.
Berisha qëndroi 333 ditë në ‘arrest shtëpie’ dhe më pas Gjykata vendosi ndaj tij që ta nxjerrë me masën ‘detyrim paraqitje’, pasi hetimi ndaj tij kishte përfunduar dhe ai nuk mund t’i prishte provat.
Kreu i Partisë Demokratike është në këtë masë që prej 3 janarit të këtij viti, kur Apeli i Posaçëm prishi vendimin e Shkallës së Parë që mbajti në “arrest shtëpie” Sali Berishën.
Ish-kryeministri është marrë i pandehur për këtë çështje së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit do të vijojë të qëndrojë në masën “arrest në shtëpi” pasi Gjykata e Posaçme i hodhi poshtë këtë të mërkurë kërkesën për revokim mase, po për dosjen “Partizani”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



