Nga Gazeta ‘Si’- Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, deklaroi të mërkurën se kërkesa e Kosovës për të qenë e ftuar speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është hequr nga rendi i ditës.
Kërkesa e Kosovës ka qenë në rendin e ditës së takimit të Komitetit, i cili po mbahet sot në Paris.
Bërnabiç, gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, tha se për këtë e ka njoftuar shefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bilana Pantiq.
“Mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Spanja, mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të cilët na ofruan mbështetje në mënyrë që ta kishim shumicën për të arritur ta heqim këtë pikë nga rendi i ditës i komitetit politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Bërnabiç.
Asambleja Parlamentare mund t’i japë statusin e mysafirit të vecantë parlamentareve kombëtare të vendeve evropiane që nuk janë shtete anëtare, por të cilat kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarët e delegacionit të mysafirit special mund të ulën në Asamblenë Parlamentare, por nuk kanë të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të mbajnë fjalim me leje të presidentit të Asamblesë.
Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



