Gazeta Si – SPAK ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të kryetarit socialist të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij, Abedin Kërrnaja, të akuzuar për “shpërdorim detyre” (më shumë se një herë), e kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, Byberi dhe Kërrnaja kanë shkelur rregullat ligjore gjatë procedurave për hapjen e rrugëve, duke shkaktuar një dëm prej mbi 277 milionë lekësh.
SPAK konstaton se zyrtarët e lartë lokalë, nuk kanë ndjekur procedurat e detyrueshme për miratimin e lejeve dhe koordinimin me institucionet përkatëse.
Nga të dhënat e dosjes hetimore, del se i pandehuri Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me vendimin e qeverisë, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
“Rezulton se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatëmilion e gjashtëqind e njëmbëdhjetëmijë e pesëqind e njëzet) Lekë”, – informon SPAK.
Nga ana tjetër, Kërrnaja akuzohet si bashkëpunëtor, pasi ka firmosur për këto veprime antiligjore të miratuara në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tropojës.
Prej më shumë se 5 muajsh, Rexhë Byberi është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa bashkia po drejtohet nga Zyra Islamaj, e cila u zgjodh kryetare e komanduar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



