Kosova

Pavarësisht urdhrit nga Gjykata, Kurti nuk paraqitet në Prokurori

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të japë një dëshmi në Prokurorinë Speciale të Kosovës, por nuk është paraqitur atje.

Një ditë më herët, Ministria e Arsimit ka njoftuar se Kurti, në këtë kohë, do të marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti fëmijësh në qytetin e Gjilanit.

Të premten e 28 shkurtit, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka deklaruar se Kryeministri Kurti do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore më 4 mars. 

Vetë Kurti ka thënë disa herë se nuk i ka refuzuar ftesat, por insiston që dëshminë të japë në zyrën e tij në Kryeministri. Zyra e tij ka dërguar kërkesë në Gjykatën Themelore, duke i kërkuar këtij institucioni ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.

Kurti pretendon se Prokuroria ka marrë dëshmi në zyrën e kryeministrit edhe në të kaluarën – pa përmendur ndonjë emër – ndërsa refuzimin e tij për të shkuar në Prokurori e arsyeton me deklaratën se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror” që kinse kryeministri po dyshohet për një rast korrupsioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë