Gazeta Si – Sali Berisha ka zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në SPAK dhe pasi ka dalë prej andej pas pak minutash, ka mbajtur një fjalim para mbështetësve të tij, i cili është kthyer në një “traditë” tashmë.
Kryedemokrati komentoi sipas tij, ultimatumin që kryeministri Edi Rama u vuri dje deputetëve të PS duke u kërkuar që të mos komentojnë asgjë rreth Prokurorisë së Posaçme.
Berisha tha se Rama ka bërë marrëveshje me kreun e SPAK për kufizimin e hetimeve për zyrtarët e lartë, pasi dështoi që të bashkonte votat për të ndërhyrë në kushtetutë.
“Çfarë gjeta unë aty? Aty gjeta ish xhelatin e sigurimit të shtetit, Arben Krajën që po merrte një trajsë me pare nga Benet Beci dhe po pinin një kafe shtruar. Gjeta kurban Etjenin e Fatmir Xhafës, kurban të marrëveshjes Rama-Dumani. Sepse Etjeni shkeli marrëveshjen sipas të cilës nuk mund të sulmohet më SKAP-i pa autorizimin e plotë të Edi Ramës. Marrëveshja është kufizimi i hetimeve për zyrtarët e lartë. Pasi dështoi në bashkimin e votave me opozitën dhe u përpoq të tërheqë opozitën në një akt antikushtetues, u ul nëpërmjet Ulusiut (Manja) dhe firmosi marrëveshjen. Etjeni kishte mbetur aty, nuk dilte më nga SKAP-i”- tha Berisha para mediave.
Ndërkohë, militantët e PD-së në Tiranë u mbledhën para Prokurorisë së Posaçme, ashtu si në rastet e mëparshme kur Berisha është paraqitur pranë SPAK në mbështetje të liderit të tyre.
Kjo nuk do të jetë hera e parë që mbështetësit e kryedemokratit Berisha do të jenë në mbështetje të tij gjatë paraqitjes në prokurori, pasi kanë qenë të pranishëm në të gjitha herët që ish-kryeministri ka respektuar masën e sigurisë.
Berishës iu rikthye masa e detyrimit të paraqitjes më 3 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, pasi SPAK ankimoi lirimin e tij.
Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



