Nga Gazeta ‘SI’ – SPAK ka lëshuar 10 masa sigurie në një operacion kundër trafikut të drogës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Janë kryer kontrolle në disa qytete të vendit: Tiranë, Kukës, Fier, Vlorë, Gjirokastrës, e më gjerë, ku u arrestuan 3 efektivë policie, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Një prej të arrestuarve është Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.
Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me akuzat e të njëjtave vepra penale, si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.
Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.
Erdit Hazizaj është tjetër person i arrestuar, i cili ishte larguar nga policia në vitin 2022. Ai akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale. Hazizaj ka qenë kandidat për kryetar Bashkie në Roskovec, nën siglën e PD.
Hetimet e SPAK kanë nisur prej kohësh për këta efektivë, pasi janë zbuluar lidhjet e tyre me bandat kriminale nëpërmjet aplikacioneve të koduara si Sky Ecc, ku rezulton se ata ishin të përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët dhe më gjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




