Gazeta Si – Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se duhet të paraqitet për të dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale, më 4 mars për rastin e rezervave shtetërore.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për të dëshmuar, duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë-theksuar të gjykatës”, ka thënë Gashi.
Pak para se të mësohej data, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një letre drejtuar gjykatës paralajmëroi se do ta injoronte ftesën e Prokurorisë Speciale për të shkuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Më herët, Prokuroria Speciale e kishte ftuar kryeministrin për dëshmi më 11 dhjetor. Që atëherë, Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të japë dëshminë, por ka theksuar se prokurorët mund ta intervistojnë në zyrën e tij, një praktikë që sipas tij është ndjekur edhe më parë.
Çështja e rezervave shtetërore përfshin si të dyshuar afaristin Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



