Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e brenda zyrës së tij në Qeveri.
Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asaj që ta urdhërojë Kurtin që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Në letrën dërguar Gjykatës, Kryeministria përsëriti qëndrimin e shprehur më parë se Kurti nuk i ka refuzuar kërkesat për të dhënë dëshmi, por ai ka kërkuar që dëshminë ta japë në ambientet e Qeverisë.
“Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.
Kurti pretendoi se ekzistojnë praktika kur zyrtarë të lartë janë intervistuar në ambientet e tyre të punës dhe kjo mund të përsëritet.
Në letrën drejtuar Gjykatës, Zyra e Kurtit po ashtu hodhi dyshime edhe mbi natyrën e ftesës.
“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit.
Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar”, u tha në letër, ku u kërkua që Gjykata të shqyrtojë çdo detaj lidhur me këtë ftesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



