Drejtësia

Inceneratori i Tiranës / SPAK kërkon 5 vite burg për Alqi Bllakon, dyshohet se përfitoi 119 mijë € për kompaninë e të atit

Nga Gazeta ‘Si’- SPAK kërkon dënimin me 5 vite burg për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Sipas SPAK, Bllako është fajtor për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë” për 2 raste, të konsumuar gjatë kontratës koncesionare të Inceneratorit të Tiranës.

Prokuroria e Posaçme thotë se ka dyshime që Bllako ka përfituar 119 mijë euro për pajisje për kompaninë e babait të tij, e cila kishte fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Përveç dënimit me burg, SPAK kërkoi edhe një dënim plotësues, heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Në arsyetimin e SPAK thuhet po ashtu se Bllako ka ndihmuar për të bërë gati studimin e fizibilitetit dhe ka mbajtur lidhje me shtetasin Klodian Zoto.

Ndërsa Vladimir Bezhani, është punësuar si këshilltar i jashtëm i Lefter Kokës nga Alqi Bllako. Ai ka ndihmuar pronarët de facto të kompanisë për ndërtimin e inceneratorit që në fazën fillestare deri sa është bërë propozimi i pakërkuar.

Ky propozim është përgatitur nga Bezhani. Po ashtu ka pasur edhe një sërë dokumentacionesh të tjera në shërbim të kompanisë që fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

SPAK shton se është përgatitur edhe dokumentacioni për dhënien e bonusit në masën 8% kësaj kompanie më qëllim që kjo e fundit të fitonte koncesionin.

Në propozimin e pakërkuar nuk ishin parashikuar kostot nga shoqëria propozuese. Bllako i ka dërguar një përgjigjie Këshillit të Ministrave duke theksuar se ky propozim nuk do t’i shkaktonte asnjë dëm buxhetit të shtetit. Sipas SPAK, provohet se Alqi Bllako ka marrë përfitime të parregullta në dy raste. Seanca e radhës, për konkluzionet e mbrojtjes, do të mbahet më 7 mars, ora 13:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë