Kosova

Albin Kurti merr shumicën e votave të diasporës, siguron mbi 80% të tyre

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka numëruar gati pjesën më të madhe të votave të diasporës.

Sipas përditësimit të fundit të bërë mëngjesin e 28 shkurtit, nga 93 për qind e votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit prin me 80.75 për qind të votave.

LVV-ja ndiqet nga Partia Demokratike e Kosovës me 7.48 për qind.

Numërimi i votave nga diaspora për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit ka nisur pasditen e 26 shkurtit. Për herë të parë, Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të diasporës në përfaqësitë diplomatike të vendit në botë.

Votimet e 8 shkurtit u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.

Pjesëmarrja ishte e lartë, përkatësisht votuan 73.56 për qind të votuesve apo 15.552 persona. Për votime në përfaqësi diplomatike ishin regjistruar 20.324 votues.

Diaspora ka pasur mundësi të votojë edhe përmes postës.

Por, ato vota, së bashku me votat me kusht brenda Kosovës dhe votat e personave me nevoja të veçanta do të nisin të numërohen në ditët në vijim, pasi të jenë skanuar listat përfundimtare të votuesve të 9 shkurtit, në mënyrë që të shmangen rastet e votimeve të dyfishta.

Ndërkaq, sipas rezultateve paraprake, që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë