Gazeta Si – Mungesa në sallën e gjyqit nga ana e Nuredin Dumanit për t’u ballafaquar me të akuzuarit e tjerë të dosjes “Plumbi i Artë”, ka shkaktuar reagimin e këtyre të fundit.
Petrit Qoli, nën akuzë për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe i përfshirë në këtë dosje, ka hedhur akuza te forta ndaj të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili nuk u paraqit në seancë për arsye shëndetesore.
Nga qelia e xhamit, Qoli ka treguar se ndihet i lumtur për SPAK dhe GJKKO, por nga ana tjetër thotë se po detyrohet të bëhet vrasës si Nuredin Dumani.
LEXO EDHE:
– Dumani dëshmon në gjyq si grabiti ‘500 mijë euro’ në banesën e dhëndrit të Agron Dukës dhe vrasjen e një kambisti: E qëllova dy herë në gjoks
– Nuredin Dumani dhe ‘lista e zezë‘ e vrasjeve e hartuar për 3 orë me Erion Alibejn! ‘Toto Rina’ dhe ‘Covid 19’, nofkat e të penduarit në SKY
“Si çdo shqiptar dhe ato të diasporës jam i lumtur për SPAK dhe GJKKO. Dumani si vrasës me pagesë shijon jetën jashtë sallës dhe ne baltosemi. Ai do Coca Cola, palestër dhe femra. Jam dobësuar 40 kg, jemi në burg kot. Jam 25 vite besimtar. Prokuroria dhe gjykata mund të ma heqin baltën. Kam frikë se do vdes nga veremi, jo nga burgu. Ai është mongol leshator, do bëhemi si Nuredini, do të vrasim 5-6 vetë dhe 5 milionë euro të groposura, dalim dhe marrim statusin”, është shprehur Qoli.
Ditët e fundit, Nuredin Dumani, ka bërë deklarta të forta ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij. Ai ka dëshmuar se si ka përgatitur “listën e zezë” të vrasjeve për 3 orë bashkë me një personazh tjetër të rëndësishëm të botës së krimit në Elbasan, Erjon Alibej.
Më herët, ai ka treguar grabitjet me armë në Durrës, vjedhje të ndryshme dhe vrasjen e një kambisti në Elbasan në bashkëpunim me të shumëkërkuarin e drejtësisë, Talo Çela.
Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.
Ai është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.
Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.
Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



