Drejtësia

Dumani replikë me Ramën: Arrestet me burg pa kriter? Përpjekja për të nxjerrë SPAK-un si represiv, e dështuar

Gazeta Si – Pas kritikave të kryeministrit Rama në lidhje me masat e sigurisë të caktuara nga prokurorët e posaçëm për çështje të ndryshme hetimore, Altin Dumani nuk zmbrapset.

Kreu i SPAK, në mbrojtje të misionit të këtij institucioni, ka deklaruar se përpjekja për ta anatemuar Prokurorinë e Posaçme si represive, ka dështuar.

Dumani bazohet te shifrat që publikon, të cilat sipas tij tregojnë të kundërtën. Ai nënvizoi se prokurorët e dinë më së miri çfarë kriteresh janë të domosdoshme për të caktuar një masë sigurie.

“Për çdo masë sigurimi që kërkojmë, ne i njohim mirë kriteret e kodit të procedurës penale dhe përpiqemi të jemi shumë strikt në zbatimin e kritereve. Lloji i masës së sigurimit përzgjidhet nga disa rrethana të caktuara. Çdo hetim ka dinamikën e vetë. Përpjekja për të nxjerrë SPAK si institucion represiv është e dështuar, sepse shifrat flasin vetë. Kemi publikuar numrin e të paraburgosurve për llogari të SPAK, vetëm më pak se 9% për vepra penale të krimit të organizuar. Ndërsa për vepra të tjera, rreth 49% janë hetuar në gjendje të lirë”- tha Dumani.

Më tej shtoi se edhe trendi i masave të sigurisë arrest me burg ka qenë në rënie së fundmi dhe situata për SPAK nuk është ajo që po kërkohet të paraqitet.

“Situata në raport me SPAK nuk është ajo që paraqitet. Në shumicën absolute, e zënë subjektet e krimit të organizuar për të cilët nuk ka masë më të përshtatshme sesa ajo e arresti me burg. SPAK vlerëson me kujdes kushtet dhe kriteret për të vendosur masat e sigurimit. Jemi të kujdesshëm, madje edhe trendi për masat arrest në burg është në rënie. SPAK është një institucion, ka kompetencë të kufizuar për disa vepra penale”- deklaroi kreu i Prokurorisë së Posaçme.

Më herët gjatë ditës së sotme, Rama kritikoi sërish SPAK-un për masat e arrestit, duke u kërkuar prokurorëve që të mos bazohen në media e parti politike, por të veprojnë duke zbatuar detyrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë