Ngjarje

U kthyen nga Kroacia, mandarinat me pesticide janë shitur në tregun shqiptar

Nga Gazeta Si- Mandarinat që u kthyen nga Kroacia sepse kishin përmbajtje të lartë të pesticideve janë shitur në tregun shqiptar, edhe pse nga Ministria e Bujqësisë u tha se janë asgjësuar.

Policia ka arrestuar tre persona, Arben Aqif Dyli, Elton Hekuran Tafa dhe Elson Petrit Tahiraj, si të përfshirë në këtë çështje.

Dyshohet se Elton Tafa me profesion fermer ka shitur te Arben Dyli, administrator i pikës së grumbullimit një sasi prej rreth 10 tonësh mandarina të cilat më pas subjekti i Arben Dyli i ka eksportuar drejt Kroacisë. Nga autoritetet Kroate janë kryer analizat e nevojshme nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për tu përdorur.

Në keto kushte ngarkesa e mandarinave është kthyer mbrapa në vendin e origjinës ku rezulton se është tërhequr nga Arben Dyli dhe më pas dyshohet se është hedhur përsëri në treg duke mos e asgjësuar sipas procedurës përkatëse.

Gjithashtu dyshohet se Elson Tahiraj me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër te cilat dhe subjekti i shtetasit Arben Dyli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë