Shendet

Për të shpëtuar jetë ndoshta disa të drejta iu duhen kufizuar familjarëve të pacientëve?!

Nga Gazeta Si- “Është trajtuar nga mjekja sipas protokollit, pas dy orësh familjarëve u është propozuar që fëmija të shtrohet por babai ka firmosur në kartelë për të marrë fëmijën në shtëpi”. Kështu u shpreh të hënën drejtori i spitalit Rajonal të Shkodrës, Senad Halluni për rastin e 3-vjeçarit i cili ka ndërruar jetë të shtunën në Shkodër.

Fëmija u dërgua në spital të premten me të vjella, e vetmja simptomë që kishte. Pasi mjeku roje ka bërë vlerësimin e situatës, ka pyetur prindërit nëse fëmija ka pirë apo ngrënë diçka dhe kjo është mohuar kategorikisht nga prindërit, të cilët kanë thënë se në dijeninë e tyre nuk ka ndodhur.

Në këtë situatë, ‘faji’ i është lënë qarkullimit të virozës, ku sipas shefes së pediatrisë Greta Naraci, famijarë të tjerë të fëmijës së ndjerë janë paraqitur gjatë ditëve në spital për shkak të virozave.

“Me një rast të tillë nuk mund të parashikosh rrezikun pasi jemi në sezonin e virozave”, thotë mjekja Naraçi.

Por, duke qenë se të vjellat kanë qenë e vetmja simptomë, mjekët u kanë sugjeruar prindërve që ta shtrojnë fëmijën në spital, që të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe sipas drejtorit të spitalit të Shkodrës, babai i fëmijës ka refuzuar, duke thënë se është një virozë dhe dëshiron ta marrë fëmijën në shtëpi.

Një dëshirë që ia njeh ligjërisht edhe ligji.

Karta e të drejtave të pacientit parashikon se pacienti (ose përfaqësuesi ligjor) ka të drejtë të mos pranojë ose të ndërpresë çdo ndërhyrje mjekësore, edhe pasi i është shpjeguar pasoja e mospranimit, përjashtuar rastet kur ndërhyrja është urgjente, siç mund të jetë në rast aksidenti.

Edhe në rastet kur një përfaqësues ligjor nuk pranon të japë pëlqimin dhe mjeku ose një kujdestar tjetër mendon që ndërhyrja, në këtë rast shtrimi në spital, është në dobi të pacientit, atëherë vendimi duhet t’i drejtohet një trupi gjykues ose një forme tjetër arbitrariteti. Por kjo ndodh në rastet që shihen si fatale, jo në rastin e 3-vjeçarit që si nga mjekët ashtu edhe nga familjarët është parë si një virozë dhe për pasojë as nuk janë bërë analizat e gjakut ditën e parë që fëmija është paraqitur në spital.

Analizat janë bërë vetëm në ditën e dytë, kur fëmija është paraqitur në gjendje të rëndë dhe gati pa shenja jete. Mjekja sqaron se edhe në këtë rast ka qenë e vështirë marrja e gjakut pasi fëmija ka qenë në shok kardiak.

“Prindërve u thuhet rreziku dhe më pas vendosin vetë çfarë të bëjnë por ky është një rast kompleks pasi fëmija kishte vetëm të vjella dhe ishte e drejta jonë të mendonim se kishim të bënim me një virozë sepse e tillë është situata epidemiologjike”, thotë mjekja e cila sqaron se firmosja e prindërve bëhet vullnetarisht.

Deri më tani ende nuk ka dalë shkaku i vërtetë i vdekjes së 3-vjeçarit por ajo që kuptohet është se janë situata epidemiologjike dhe të drejtat e pacientëve që kanë ngatërruar rrugën që do të shpëtonte jetën e fëmijës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë