Gazeta Si – Ish-kryebshkiaku i Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur këtë të Hënë në SPAK, ku ka qëndruar vetëm 15 minuta. “Veprime të zakonshme, absolutisht asnjë akuzë”, ishte fraza e vetme që tha ai për mediat.
Vitin e shkuar, GJKKO urdhëroi SPAK të regjistrojë hetimet ndaj tij, i dyshuar në dhënien e disa tenderëve në kohën që ishte drejtues bashkie.
Rroshi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkelja e barazisë në tenderë”.
Hetimet janë nisur me bazë kallëzimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditi në Bashki në vitet 2013-2014, si i dyshuar për abuzim me një tender prej 33 milionë lekësh.
Në mars të vitit të kaluar, pasi SPAK kishte vendosur pushimin e hetimeve, Gjykata e Posaçme u kërkoi prokurorëve që të hetonin për kallëzimin penal të bërë nga KLSH 10 vite më parë.
Nga një auditim që KLSH kishte bërë kur Bashkia e Kavajës drejtohej nga Elvis Roshi, u konstatuan një sërë parregullsish në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën e 33 milionë lekëve. Kështu Roshi po hetohet për shpërdorim detyre.
Roshi u zgjodh kryebashkiak i Kavajës dy herë në zgjedhjet e vitit 2011 dhe ato të vitit 2015. Në vitin 2018, Roshi u dënua me 60 orë punë në komunitet, duke u bërë zyrtari i parë që prekej nga lihji i dekriminalizimit. Shkak për dënimin e tij u bë falsifikimi i formularit të dekriminalizimit në vitin 2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


