Kosova

17 vjet shtet/ Kurti dhe Osmani urojnë pavarësinë: Kosova është dhe do të mbetet një republikë e lirë

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje festive me rastin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeverisës tha se Kosova feston me krenari rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Kushtetuta jonë vërtetë është e re, por kultura jonë është e një populli të lashtë e autokton e rrënjosur thellë në historinë tonë të lavdishme. Ne sot nderojmë të gjithë ata që sakrifikuan dhe u flijuan për lirinë tonë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se liria për të cilën Kosova ka sakrifikuar kaq shumë kërkon demokraci e demokracia kërkon institucione të forta.

“Institucione të forta që mbrojnë sundimin e ligjit, garantojnë zgjedhje të lira te të ndershme dhe sigurojnë që pushteti u shërben qytetarëve”, tha Kurti.

Kurti theksoi sipas tij se suksesi i Kosovës është dëshmi që ka punuar në përputhje me amanetin e idealin e dëshmorëve të kombit dhe në përputhje me të drejtat e popullit, dëshirat e rinisë dhe ëndrrat e fëmijëve.

“Urime e gëzuar dita e pavarësisë. Rroftë Republika jonë”, tha Kurti.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani tha se kjo është një ditë për të shprehur mirënjohje për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

“Nuk ka asgjë që mund ta ndalë Kosovën e lirë dhe sovrane. Kjo është një ditë kur u shprehim mirënjohje të përhershme të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë – nga arkitekti i pavarësisë, presidenti historik, e deri te komandanti legjendar Adem Jashari dhe çdo qytetar i Kosovës që ka sakrifikuar për këtë ditë historike. Do të ecim përpara, sepse Kosova është dhe do të mbetet një republikë e lirë, e pavarur dhe e përjetshme. Urime!”, u shpreh Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë