Drejtësia

SPAK kërkon 3 vite burg për Jorgo Goron dhe konfiskim pronash të ish-kryebashkiakut të Himarës

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 3 vjet burg për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, i cili deklarohet fajtor për shpërdorim detyre dhe refuzim për deklarim e fshehje pasurie.

Pretenca u dha mëngjesin e kësaj të enjteje nga prokurori i posaçëm, Ols Dado gjatë seancës gjyqësore, i cili e akuzon ish-kryebashkiakun për dy raste.

Për zyrtarin Jerasimo Basho, SPAK kërkoi po për 3 vjet burgim dhe për juristin Vezir Gjikoka, 2 vjet burgim.

Po ashtu, SPAK kërkon konfiskimin e sipërfaqeve të tokave të sekuestruara, si dhe apartamentin e Jorgo Goros të sekuestruar.

Një tjetër kërkesë ishte konfiskimi edhe i 10 mijë metrave katrorë tokë, që do kalonin për investime strategjike në plazhin e Gjipesë.

Në rastin e parë, sipas prokurorisë, Goro bashkë me dy ish-drejtorët e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha kanë përcjellë te institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5,500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.

Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe toke bujqësore mbi 5 mije metër katrore, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Më pas, kjo pronë është shitur te investitorët duke u dhënë edhe një leje ndërtimi për një kompleks turistik.

Jorgo Goro u arrestua në mars të vitit të shkuar, ndërsa gjatë seancave gjyqësore i ka mohuar akuzat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë