Gazeta Si- Mes simpatizantëve që kanë mbështetur këtë të martë në GJKKO kryebashkiakun Erion Veliaj, i arrestuar me urdhër të SPAK, ka pasur edhe njerëz të letrave.
Helena Kadare, e veja e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, është parë në dyert e jashtme të Gjykatës kundër Krimit dhe Korrupsionit mesditën e sotme, pasi ka kërkuar që të ndjekë seancën për masën e sigurisë ndaj Veliajt dhe Ajola Xoxës.
Për gazetarët ajo tha se kishte ardhur të merrte pjesë në seancë, pasi i kishin thënë se kjo lejohej, por në videon e siguruar nga Gazetasi.al ajo duket se dalë nga godina e gjykatës.
Seanca për verifikimin e masës së sigurisë për Veliajn ishte parashikuar të zhvillohej në orën 08:30, por ajo u shty për shkak se u shkëput energjia elektrike në gjykatë.
Po ashtu avokatët kërkuan kohë të njihen me dosjen në ngarkim të kryebashkiakut dhe për këtë u caktua ora 13:30.
Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, Veliaj dyshohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa ka krijuar një skemë korruptive, mes disa kompanive dhe 6 biznesmenëve që kanë përfituar tendera nga Bashkia e Tiranës.
Veliaj akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



