Dosje

Dosja e SPAK: Veliaj intimidoi me sms agjentë të BKH, Ajola Xoxa dëshmitarët! Vilat në Qerret, dhe roli i deputetes Klotilda Bushka për celularin e zhdukur

Gazeta Si – Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, dyshohet se kanë intimiduar agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe dëshmitarë gjatë periudhës së hetimit pasuror të nisur ndaj tyre nga SPAK.

Në dosjen hetimore, prej rreth 370 faqesh, rezulton se kryebashkiaku dhe bashkëshortja e tij, kanë tentuar të prishin provat dhe të pengojnë punën e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Prokuroria e Posaçme vëren se një pjesë e madhe e dëshmitarëve, ka pohuar se janë kontaktuar nga shtetësja Ajola Xoxa dhe madje janë thirrur prej saj, duke i dhënë orientime si duhet të sillen para prokurorëve të posaçëm.

Hetuesit e SPAK, kanë arritur në përfundimin se në rastin e Veliajt ekziston “rreziku i helmimit të provave” dhe ngadalësimit apo devijimit në mënyrë të parregullt të procesit për shkak të funksionit publik që ai mban, por edhe prej sjelljes së tij në raport me agjentët e BKH.

SPAK konstaton se kryebashkiaku i Tiranës ka dërguar mesazhe intimiduese të një natyre të fortë në drejtim të agjentëve të BKH që kishin në dorë çështjen e tij.

Erion Veliaj del nga SPAK me bashkëpunëtorët e tij

Intimidim me mesazhe

“Në këtë kuptim, duke patur në konsideratë ambientin ku shtetasit nën hetim jetojnë, funksionin publik që ushtron shtetasi Erion Veliaj, njohjet e shumta, lidhjet e siguruara dhe ndikimi mjaft i fortë që buron nga ushtrimi i këtij funksioni, rëndësia e të cilit shtohet në mënyrë eksponenciale nisur nga territori që mbulon dhe fondet publike që administron Bashkia Tiranë, si Bashkia me e madhe në vend, duke vlerësuar sjelljen e shfaqur nga vetë shtetasi nën hetim Erion Veliaj, ndërsa dërgon mesazhe me natyrë të fortë intimiduese në drejtim të hetuesve të BKH-së, të cilëve u kërkon hapur të ndalojnë me thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime”, – theksohet në dosje.

SPAK nënvizon më tej se ky rrezik është provuar të jetë i prekshëm gjatë gjithë hetimit paraprak, sidomos në raport me personat që janë thirrur për të bërë deklarime pranë SPAK, por edhe me sjelljen që kanë shfaqur Veliaj dhe Xoxa gjatë kësaj periudhe.

“Në kushtet kur shtetasi nën hetim Erion Veliaj provohet të ketë dërguar mesazhe të shkruara në adresë të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mesazhe këto që duket se kanë synimin të intimidojnë këta zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës së tyre, mund të imagjinohet lehtë më pas sesi ky shtetas mund të sillet me dëshmitarët potencialë në këtë proces, pra me provat që kërkohet të merren nga organi procedues. Gjithashtu, prania e punonjësve të rëndësishëm të bashkisë Tiranë, vartës të drejtpërdrejtë të shtetasit Erion Veliaj, si gjatë kontakteve që shtetësja Ajola Xoxa ka patur me personat e thirrur për të dhënë deklarime në Prokurorinë e Posaçme”, – vijon raporti në dosje.

Deputetja socialiste, Klotilda Bushka (majtas) dhe Ajola Xoxa

Celulari i dëshmitares dhe roli i deputetes Klotilda Bushka

Ndërkohë, aparati celular i një prej dëshmitarëve në hetimet ndaj Erion Veliajt dhe familjarëve të tij, dyshohet se është asgjësuar me ndihmën e deputetes socialiste Klotilda Bushka.

Në dosjen prej rreth 370 faqesh të SPAK, thuhet se bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa (në masën “arrest shtëpie”), kishte kontaktuar dëshmitarët për t’i orientuar lidhur me atë çfarë duhet të thoshin nëse pyeteshin nga prokurorët e posaçëm.

“Akoma më e rëndë paraqitet situata kur bëhet fjalë për shtetasen I.G.,, e cila është treguar mjaft e qartë në lidhje me takimet e zhvilluara para se të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme, çfarë e ka orientuar shtetasja Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka, si edhe faktin që ka takuar shtetasen Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka, pasi ka dalë nga Prokuroria e Posaçme, sipas orarit të lënë nga këto të fundit. Ky takim është dokumentuar nga grupet e vëzhgimit të hetuesve të BKH-së”, lexohet në dosje.

Më tej, SPAK pretendon se celulari i shtetases I.G., “është asgjësuar me ndihmën e shtetases Klotilda Bushka”.

“Për më tepër, nisur nga deklarimet e shtetases I.G., kësaj të fundit i është kërkuar telefoni, i cili në fakt i është marrë, për t’iu zëvendësuar me një tjetër nga shtetasja Ajola Xoxa. Po ashtu, sipas të njëjtave deklarime, të cilat do të jenë objekt hetimi përgjatë hetimit paraprak, ka dyshime se aparati telefonik celular i kësaj shtetaseje është asgjësuar me ndihmën e shtetases Klotilda Bushka, në shtëpinë e prindërve të kësaj të fundit”, lexohet në dosje.

Bushka akuzohet për pengim të zbulimit të të vërtetës, ndërsa këtë të martë vijoi të drejtonte mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, pavarësisht se deputetët e PD i kërkuan që të tërhiqej nga ky pozicion, pasi SPAK po e hetonte.

Biznesmeni Gentian Sula dhe kryebashkiaku Erion Veliaj

Kryebashkiaku siguroi vila nga biznesmeni Sula që fitonte tenderë

Po ashtu, në hetimet ndaj Erion Veliajt, i cili akuzohet për 9 raste korrupsioni dhe fshehje të pasurisë, SPAK thekson se kryebashkiaku i Tiranës i ka dhënë tendera Gentian Sulës, pronarit të kompanisë AGICONS.,

Ndërkohë që ai dhe familjarët e tij kanë blerë prona nga kjo kompani. Gjithashtu, Veliaj dhe Sula kanë kryer disa udhëtime me charter bashkë, ndërsa gruaja e ndërtuesit, Gentiana Sula, është punësuar si zv.ministre e Mirëqenies Sociale, kur këtë dikaster e drejtonte Veliaj.

SPAK e akuzon Veliajn se është korruptuar nga Sula në këmbim të tenderave të dhënë ndaj kompanisë së tij, ku mes tyre përmendet ai i ndërtimit të Teatrit Kombëtar pas shembjes së godinës së vjetër.

Në dosjen e SPAK thuhet se kallëzuesi “Nesti Angoni” nuk ekziston, por pas verifikimeve të bëra, pretendimet e bëra në denoncimin e tij qëndronin.

Ashtu siç ka denoncuar “Nesti Angoni”, Gentiana Sula, gruaja e biznesmenit Gentian Sula, është punësuar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale kur në krye të dikasterit u emërua Erion Veliaj në vitin 2013.

Sipas kallëzuesit, në kohën që Erion Veliaj u emërua Ministër i Mirëqenies Sociale, bleu një pasuri të paluatshme-banesë, të ndodhur në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit”, në pronësi të Gentian Sulës.

Pjesë e hetimeve kanë qenë edhe të dhënat e sistemit TIMS nga ku rezulton se që prej 2004-ës deri në 2017-ën, Erion Veliaj dhe Gentian Sula të kenë udhëtuar me Charter në të njëjtat ditë duke u nisur nga Rinasi.

Prokuroria e Posaçme

Vilat në Qerret

Veprimet verifikuese të SPAK, konfirmuan denoncimet e bëra nga Nesti Angoni sa i takon vilave të blera nga Veliaj dhe të afërmit e tij në Qerret në komplekse të ndërtuara nga “AGI KONS”.

Në dosjen hetimore, thuhet se Veliaj dhe Xoxa ishin ‘de facto’ pronarët e vilës në Qerret, për të cilat paguanin edhe mirëmbajtës dhe pastrues, pavarësisht se vila rezultonte në emër të Arbër Veliajt

“Provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ekspozojnë ekzistencën e një mekanizmi të mirë menduar, krijuar dhe vënë në funksion nga shtetasit nën hetim me qëllim përfitimin nga fondet publike dhe pasurimin personal përmes veprimeve të kamufluara dhe të paligjshme. Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, siç do të prezantohet në vijim, nisur nga provat e administruara në fashikull, të paktën në 10 raste krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale në nivelin më të lartë të qeverisjes vendore”, – thuhet në një pjesë të dosjes hetimore.

Në një reagim në rrjetet sociale pas arrestimit mbrëmjen e të hënës, kryebashkiaku Erion Veliaj mohoi akuzat dhe tha se ai dhe familja e tij nuk kanë lidhje me fjalën korrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë