Kosova

Sa e mundur është një qeveri ‘Kurti 3’ në Kosovë

Nga Gazeta ‘Si’ – Opozita në Kosovë i bëri të qartë kufijtë e saj.

Pas LDK-së dhe AAK-së të cilat që në krye të herës kanë qenë më të prera se nuk do të bënin një koalicion me Albin Kurtin, VetëVendosjes ‘ia mbylli derën’ edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, deklaroi se opozita ka marrë besimin për të formuar qeverinë e re dhe tha se LVV-ja është në kërkim të “pushtetit absolut”

Ndërsa LVV-ja është në pritje të numërimit të votave të diasporës, e ardhmja politike e Kosovës mbetet e paqartë për momentin.

Ndonëse Vetëvendosja prin zgjedhjet me 40.83% të votave, Kurti nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të deputetëve që i nevojiten për të krijuar qeverinë.

Në bazë të rezultateve të tanishme, në parlamentin e ri, Vetëvendosja e Kurtit do të ketë 46 deputetë, 12 më pak nga legjislatura e shkuar ku kishte 58 ligjvënës.

PDK-ja del nga këto zgjedhje me 25 deputetë, ndërsa LDK-ja me 20. Koalicioni AAK-NISMA për momentin kanë 9 deputetë.

Nëse llogaritë ngelin në të njëjtat kuota edhe pas votave të diasporës, rezulton se opozita ka më shumë deputetë, 54 të tillë përkundër 46 që ka Kurti.

Për momentin, Kurti i ka varur shpresat tek vota e diasporës ku bseson se mund të marrë 2 deri në 4 mandate.

Në skenarin më të mirë të mundshëm, Vetëvendosja mund të marrë 51 deputetë pas numërimit të këtyre votave, gjë që do t’i mundësonte Kurtit formimin e qeverisë me anë të deputetëve të minoriteteve joserbe, përveç Listës Serbe (partia më e madhe e serbëve në Kosovë).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë