Kosova

Numërohen mbi 90% e votave, Kurti udhëheq me 41 përqind

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë pavarësisht problematikave që ka shfaqur përgjatë mbrëmjes së diel dhe gjatë orëve të para të mëngjesit me sistemin elektronik dhe tabelat e rezultateve, ka vijuar numërimin e votave dhe shpalljen e shifrave zyrtare.

Sipas të dhënave të përditësuara në orën 11:04, deri në këtë kohë janë procesuar 2 mijë e 283 vendvotime, nga gjithsej 2 mijë e 533, ose 90,13 për qind e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka arritur të mbledhë gjithsej 311 mijë e 907 vota, ose 41.00 për qind.

Në vendin e dytë radhitet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me gjithsej 170 mijë e 198 vota, ose 22,37 për qind.

Sipas këtyre rezultateve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) radhitet partia e tretë.

Deri më tani LDK-ja ka arritur të mbledhë 17,57 për qind, ose 133 mijë e 693 vota. Në vendin e katërt është AAK-ja me partnerët e saj, me 7.56 për qind, si dhe në vendin e pestë Lista Serbe me 3,98 për qind.

Albin Kurti shpalli fitoren

Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij dhe koalicioni me “Guxo” e “Alternativa” janë fituese të zgjedhjeve.

Ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi mbrëmë se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, duke shtuar se i falënderon autoritetet për angazhimin.

“Procesi zgjedhor ka qenë proces demokratik, i cili nuk ka pasur incidente. E falënderoj edhe policinë edhe mekanizmat, por kështu ndodh kur është Qeveria jonë. Kur ekzekutivi jemi ne, s’ka incidente e procesi demokratik është cilësor, i vërtetë,  i lirë i ndershëm”, ka thënë Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë