Ngjarje

Korçë / Faqja anonime denigronte adoleshentët, nxënës nga të gjithë gjimnazet në gjendje të rëndë psikologjike

Nga Gazeta Si- Adoleshentë nga të gjitha gjimnazet e Korçës prej ditësh janë në tension dhe gjendje të rënduar psikologjike pasi një person anonim i denigronte me anë të një faqeje në Instagram.

Me një emër po aq denigrues, faqja në Instagram postonte foto, video dhe të dhëna të kryesisht vajzave por nuk mungonin as informacione të djemve. Duke e ilustruar me një foto ose video jo reale, personat ende të paidentifikuar nxirrnin emrat e adoleshentëve dhe shpesh herë edhe të dhënat e tyre si adresa apo numri i telefonit.

Rasti është denoncuar në polici, por hetuesit nuk kanë mundur të zbulojnë se kush e posedonte këtë faqe, e cila tashmë është mbyllur, me ndërhyrjen e CRCA në bashkëpunim me Meta-n.

Borjana Dine, zyrtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve pranë CRCA/ECPAT Shqipëri e cila edhe prej ditësh është marrë me këtë çështje, thotë për Gazetasi.al se kjo ngjarje është alarmante sepse numri i të prekurve është shumë i madh dhe ka prekur adoleshentë nga të gjithë gjimnazet e Korçës, që “të bën të dyshosh se mund të kenë qenë edhe një grup njerëzit që kanë hapur faqen”.

Dine thotë se përgjithësisht ndodh që hapet një faqe me emrin e shkollës por këtë herë janë përfshirë të gjitha shkollat dhe faqja ka qenë në emër të qytetit.

“Sipas asaj që kanë thënë adoleshentët, faqja ka qenë hapur edhe më parë para disa muajsh por është mbyllur dhe para disa ditësh u hap përsëri. Edhe pse në bashkëpunim me Meta-n faqja është mbyllur, ekziston frika se mund të hapet përsëri”, thotë Dine, e cila shton se kjo situatë ka shqetësuar jashtë mase adoleshentët.

“Nxënësit e kanë raportuar faqen edhe pse nuk kanë qenë të përfshirë sepse kishin merakun mos nga momenti në moment mund të ishin shënjestra e radhës”, thotë Dine.

Disa nga vajzat thanë për mediat se publikimet e çasteve të tyre intime (jo të vërteta) po u dëmton imazhin dhe se ndihen të denigruara.

“Ndihemi të kërcënuara sepse ato foto dhe video nuk janë reale por kur dalin me emrin tonë, njerëzit e besojnë dhe kemi frikë edhe të dalim jashtë”, thotë një prej vajzave e cila shton se vajza të tjera të prekura e kanë përjetuar aq keq sa edhe kanë tentuar vetëvrasjen.

“Personat që administronin faqen na shkruanin duke na kërkuar foto dhe video ose në të kundërt do të publikonin ato çfarë të donin. Faqja shpifte për çdo person të mundshëm dhe çdo ditë kishim frikë se mund të na dilte emri me ndonjë foto”, thotë një tjetër vajzë.

Dine thotë se nxënësit po jetojnë me frikën se një faqe e njëjtë mund të hapet përsëri dhe për aq kohë sa personi/at e përfshirë nuk arrestohen, rreziku qëndron.

“Jemi në alert sepse kemi frikë mos ndodh përsëri”, përfundon Dine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë