Drejtësia

Ajola Xoxa, rekurs vendimit të Apelit në Gjykatën e Lartë, kërkon paligjshmëri të kontrolleve dhe kthim të telefonit

Gazeta Si – Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kundërshton vendimet e Gjykatës së Posaçme dhe të Apelit, të cilat legjitimuan kontrollet e ushtruara me urdhër të SPAK në bizneset e saj në kuadër të një hetimi pasuror të nisur dhjetorin e shkuar.

Në këtë gjykatë, Xoxa pretendon paligjshmëri të kontrolleve dhe kthim të telefonit të sekuestruar.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të mos pranojë ankimin e bërë nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj për kontrollet e ushtruara në datën 6 dhjetor.

Më konkretisht bëhet fjalë për kontrollet e ushtruara nga oficerët e BKH-së në banesat e Arbër Veliajt dhe familjarëve të Ajola Xoxës, si dhe në zyrat e fondacionit “Harabel”.

Familjarët e ish-kryebashkiakut, kishin ankimuar vendimin që lejoi kontrollet si të paligjshëm dhe pa shkak ligjor, pasi më herët edhe Gjykata e Posaçme e kishte rrëzuar kërkesën.

Kontrollet u ushtruan në lidhje me hetimin e nisur nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në fund të dhjetorit 2024, kryebashkiaku Erion Veliaj u pyet për mbi 5 orë nga hetuesit e posaçëm, 3 ditë pasi në godinën e SPAK ishte pyetur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Sipas SPAK, nga kallëzimi i bërë ndaj Veliajt, ekzistojnë të dhëna konkrete për 4 akuza lidhur me këtë çështje, konkretisht “korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash dhe fsheje pasurie”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë