Drejtësia

Hetimi pasuror ndaj familjes së kryebashkiakut Veliaj, Ajola Xoxa ankimon kontrollet në studion e saj

Gazeta Si- Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt, ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme kontrollin e BKH-së në një apartament pranë qendrës “Harabel” në kuadër të një hetimi pasuror ndaj saj dhe familjarëve të kryebashkiakut të Tiranës të nisur dhjetorin e shkuar nga SPAK.

Përmes avokatëve të saj, Xoxa, ka depozituar një ankim kundër vendimit të gjykatës, duke e konsideruar atë si në shkelje të ligjit.

Ambienti i kontrolluar nga BKH ndodhej një kat mbi një zyrë ligjore të drejtuar nga Xoxa në një kullë në zonën e ish-bllokut dhe sipas SPAK dyshohet se ishte në përdorim të saj.

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit mësynë në apartamentin 11/4, ku u sekuestruan sende me vlerë për hetimin si dokumenta, por edhe materiale të tjera elektronike.

Hetimi ndaj kryebashkiakut Veliaj po ndiqet nga dy prokuror Altin Dumani dhe Ols Dado e ndërsa më herët SPAK ka njoftuar se subjekti po hetohet për 4 vepra penale, konkretisht “korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash dhe fsheje pasurie”.

Në fund të dhjetorit 2024, kryebashkiaku Erion Veliaj u pyet për mbi 5 orë nga hetuesit e posaçëm, 3 ditë pasi në godinën e SPAK ishte pyetur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Në një deklaratë të bërë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ai tha se ishte denoncuar nga një njeri që nuk ekzistonte dhe se i është përgjigjur drejtësisë edhe pse ishte vënë në lëvizje nga denoncime anonime.

Në 6 dhjetor, pas një vendimi të marrë në gjykatë, SPAK vuri në lëvizje Byronë Kombëtare të Hetimit që kreu kontroll personal të Ajola Xoxës, ku i sekuestroi telefonin.

Kontrolle u ushtruan në ambientet e një qendre që drejtohet nga bashkëshortja e Veliajt dhe banesa e ambiente në pronësi të vëllait të tij, Arbër Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë