Ngjarje

Plagosja e 15-vjeçarit në Tiranë, xhaxhai qëlloi nipin aksidentalisht me armë pas sherrit me vëllain binjak për drogën

Gazeta Si – Një sherr mes dy vëllezërve binjakë në Fushë Mëzez të Tiranës, i cili dyshohet se ka nisur për lëndët narkotike, precipitoi në përdorimin e armës së zjarrit, ku mbeti i plagosur aksidentalisht nipi i tyre 15-vjeçar, djali i vëllait të tyre të tretë.

Sipas policisë, adoleshenti u plagos nga arma e xhaxhait të tij, Nazmi Pëllumbi 29 vjeç, i cili është shpallur në kërkim, ndërsa në pranga është vënë vëllai tjetër binjak, Florant Pëllumbi.

I mituri u dërgua në gjendje të rëndë në spital dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Tani ai akuzohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta me vëllanë binjak, ka qëlluar me zjarri drejt tij dhe nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht 15-vjeçari (nipi i tyre), djali i vëllait të tretë.

Në aksionin policor të zhvilluar menjëherë pas ngjarjes, u arrestua binjaku i 29-vjeçarit, Florant Pëllumbi, pasi iu gjet në banesë një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

Grupi hetimor, ka mundur të zbardhë plagosjen e 15-vjeçarit edhe falë dëshmisë së dhënë nga nëna e këtij të fundit, e cila ka treguar se njëri prej vëllezërve ka qëlluar në drejtim të tjetrit dhe plumbat kanë kapur djalin e saj.

Sipas gruas, konflikti mes të dyve ka nisur fillimisht për shitjen e lëndëve narkotike kokainë, debat që ka degraduar deri në nxjerrje arme. Dyshohet se binjakët janë përfshirë në shitjen e kokainës.

Nazmi Pëllumbi, 29 vjeç, akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërsa Florant Pëllumbi është nën akuzë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë