Drejtësia

Fatmir Mediu në SHBA për vizita mjekësore, GJKKO shtyn në 12 shkurt seancën për ‘Gërdecin’

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 12 shkurt seancën e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nën hetim për “shpërdorim detyre” për tragjedinë e Gërdecit me 26 viktima.

Shkak u bë mungesa e ish-ministrit, i cili përmes një deklarate njoftonte gjykatën se ndodhej në SHBA për të kryer disa ekzaminime mjekësore.

Kjo gjë solli debat në seancë ku prokurorët kërkuan vazhdimin e gjyqit pa praninë e tij. Ndërkohë Prokurori Klodian Braho u shpreh se rekomandimi duhej të jepej nga mjeku i familjes dhe jo nga një spital privat në mënyrë që të njihej ligjërisht.

Njëkohësisht, përmes avokatit, Mediu kërkonte të ishte i pranishëm në sallë gjatë përballjes me ekspertët që kanë kryer akt ekspertimin tekniko-ushtarak.

Në seancën e radhës të caktuar më 12 shkurt ora 9:00 ekspertët do duhet të paraqesin në mënyrë të përmbledhur raportin për aktin tekniko ushtarak.

Në seancën e fundit të zhvilluar në GJKKO u legjitimuan dy ekspertët, ndërsa avokatët e Mediut duhet të dorëzonin pyetjet e tyre lidhur me këtë akt-ekspertimi që ka në thelb kalibrat e armëve që demontoheshin në Gërdec.

SPAK thotë se ai ka shpërdoruar detyrën me nxjerrjen e disa akteve nënligjore që kanë sjellë avantazhe për shoqëritë private që do kryenin demontimin. 

Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln Lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. 

Gjyqi ndaj Fatmir Mediut vijon prej prillit 2023. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. 

Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Nga shpërthimi në Gërdec më 15 mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë