Drejtësia

Hetimet për ’21 Janarin’, vëllai i Hekuran Dedës dëshmon në SPAK: Shpresojmë se ngjarja do të zbardhet

Gazeta Si – Vëllezërit e Hekuran Dedës, një nga viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues para kryeministrisë, janë paraqitur në SPAK këtë të martë për të dhënë deklarime.

Për 1 orë e 30 minuta, SPAK mori në pyetje sot vetëm Zabit Dedën. Ndërkohë, burimet thanë se me Agim Dedën, vëllai tjetër i të ndjerit Hekuran Deda, marrja në pyetje do të vijojë të mërkurën, 29 janar.

Pasi la ambientet e SPAK, Zabit Deda tha se ka besim se kjo ngjarje do zbardhet, e cila është rihapur prej më shumë se 6 muajsh nga Prokuroria e Posaçme.

“Ato që na kërkuan i thamë, shpresojmë se do zbardhet. Po. Do dëshmojnë edhe vëllezërit e tjerë, do e shihni”, u shpreh Zabit Deda.

SPAK është duke kryer veprime të shumta hetimore në lidhje me 3 vepra penale për të cilin është rregjistruar edhe hetimi, duke nisur nga ajo e vrasjes në rrethana cilësësuese, shpërdorim detyre dhe veprime që perngojnë zbulimin e së vërtetës.

Në fakt, deri tani vrasja e Hekuran Dedës, ashtu si edhe ajo e Aleks Nikës, është pa autor të dyshuar. Dy ditë para 14-vjetorit të kësaj ngjarjeje, kreu i SPAK, Altin Dumani tha në një takim informal me mediat se hetimet vijojnë, por regjistrimi i procedimit penal është bërë deri tani pa emra konkret.

“Çdo ditë për këtë çështje kryhen veprime konkrete pasi e tillë është dinamika, që sjell nevojën për veprime të përditshme”, tha Dumani.

Në muajt e fundit, në SPAK janë thirrur disa prej ish-funksionarëve të kohës dhe ish-deputetë socialist, Saimir Tahiri ish-deputeti Arben Çuko apo dhe deputeti aktual i PS, Xhemal Qefalia.

Po ashtu, kanë dëshmuar edhe ish-kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ish-zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj apo dhe ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

SPAK ka nisur veprimet hetimore në lidhje me këtë çështje pasi Gjykata e Lartë i vendosi kompetencën. Një nga detyrat që i ka lënë gjykata është të pyesë të gjithë organizatorët e kësaj proteste si dhe gjithë zyrtarët që kanë pasur detyrë menaxhimin e protestës.

SPAK po kryen hetime për këtë ngjarje pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut vitin e kaluar, e cila cilësoi ngjarjen si “vrasje shtetërore”.

Asokohe humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.

Familjarët e viktimave pretendojnë që SPAK të zbulojë rolin e  ish-kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, duke i akuzuar si zbatuesit e kësaj “vrasjeje shtetërore”.

Për ngjarjen, Gjykata e Tiranës dënoi ish-komandantin e Gardës, Andrea Prendi dhe gardistin, Agim Llupo, të cilët e kanë shlyer dënimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë