Drejtësia

Grup kriminal dhe pastrim parash, ish-shoferi i Ardi Veliut dhe familja e tij mohojnë akuzat në gjyq: Jetojmë në shtëpi me llamarina

Gazeta Si – Sokol Idrizaj, shoferi i ish-kryepolicit Ardi Veliu, ka rrëzuar akuzat për grup kriminal dhe pastrim parash për sende dhe bizhuteri të vjedhura e kontrabandë nga Franca.

Në seancën që u mbajt këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe familjarët e tij, bashkëshortja dhe dy vajzat.

Në nëntor 2024, SPAK kërkoi nga 12 vite heqje lirie për Idrizajn dhe bashkëshorten e tij, Elda Idrizaj, 10 për njërën vajzë, Egi Idrizaj dhe 6 vite për vajzën tjetër të çiftit, Bora Idrizaj.

Së bashku me disa persona të tjerë, familja Idrizaj akuzohet për kontrabandë mallrash, mos deklarim të ardhurash, pastrim parash dhe ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare.

Në seancën e sotme, Sokol Idrizaj ka deklaruar: “Edhe në komunizëm nuk futej në burg një familje e tërë, mediat kanë abuzuar me rastin tim, më kanë baltosur mua dhe familjen”.

Ai ka mohuar që veshjet e ardhura nga Franca të kenë qenë të vjedhura.

“Rrobat e ardhura nga Franca nga vajza ime, është konfirmuar nga vetë shteti francez që nuk kanë të vjedhura. Edhe në kohën e Enverit, prokurori nuk dilte dot mbi gjyqtarin, unë jetoj në shtëpi me çati me llamarina, ndërkohë që akuzohemi për fshehje të ardhurash me vlera miliona lekë”, – ka deklaruar Idrizaj.

Avokati i tij pohoi se prokuroria në mënyrë të paprecedentë dhe me zell ka ngritur akuzën për grup të strukturuar kriminal tek 4 anëtaret e një familjeje, burrë, grua, djali dhe vajza.

Sipas tij, Sokol Idrizaj ka 35 vite karrierë në polici dhe është i pajisur me certifikatë sigurie. Kjo çështje është fryrë edhe mediatikisht vetëm se ai ka shërbyer si shofer i ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në seancë, gruaja e Sokolit, Elda Idrizaj, tha: “U bëra gjyshe në burg, ne jemi familje e rregullt, vajza sillte rroba për t’i shitur online me qëllim për disa të ardhura më shumë, na është shkatërruar jeta nga kjo histori, ç’lidhje kemi ne me grup të strukturuar kriminal?”.

Egi Idrizaj, njëra nga vajzat e ish-shoferit të Ardit Veliut, shtoi: “Ta dija që për një faqe online shitje do përfundoja këtu nuk do merresha, unë kam djalin 1 vjeç prokuroria kërkon 10 vite burg”.

Ndërsa vajza tjetër, Bora Idrizaj, u shpreh: “Nga kjo histori kam mbetur pa punë, na është shkaktuar traumë, jam vetëm 22 vjeçe”.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme vendosi të shpallë vendimin më 31 janar të këtij muaji.

Familja Idrizaj dhe të pandehurit e tjerër janë të dyshuar për 12 akuza, mes të cilave, e pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, ata kanë futur ilegalisht nga Franca në vendin tonë, sende me vlerë të cilat shiteshin në argjendari, si dhe vlera monetare.

Ata gjithashtu akuzohen se kanë kaluar drejt Francës 724,386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket transaksioneve bankare, ndërsa shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme, kapin vlerën e 2.1 milionë euro dhe 35.000 franga.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë