Drejtësia

‘Vjedhje dhe grup kriminal’, kalon për gjykim dosja e ‘Sterilizimit’ ndaj Ilir Beqajt dhe të pandehurve të tjerë. Ish-ministri: Gjyq politik

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen hetimore për “Sterilizimin”, ku të pandehur janë marrë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ish-zëvendësi i tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Gjykata ka pranuar rikualifikimin e akuzës për Ilir Beqajn, të cilit iu ndryshua nga “shpërdorim detyre”, në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”.

Ish-ministri do të gjykohet në proces normal, ndërsa gjykim i shkurtuar është vendosur për ish-zv.ministrin Klodjan Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.

Po ashtu, gjykim i shkurtuar është vendosur edhe për të akuzuarit e tjerë, konkretisht për: Saimir Kadiun, Marsela Serjanajn, Arben Gjatën, Naile Ajazin, Genc Byrazerin dhe Petro Mersinin.

Më herët gjykata rrëzoi  kërkesat e Ilir Beqajt për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi me argumentin se ajo nuk pranoi të jepte të arsyetuar vendimin për rëndimin e akuzës.

Vetë Ilir Beqaj e ka konsideruar akuzën si një presion ndaj tij që të zgjidhte formën me gjykim të shkurtuar që të mos nxirrte të gjitha provat, të cilat, sipas tij, do ta nxirrnin atë të pafajshëm.

Sipas burimeve, në sallë Ilir Beqaj tha që s’mund të mbrohet për akuza që “as ti si gjyqtare as prokuroria nuk po pranoni t’i shkruani”. “Vërtet nuk mbrohemi dot, ama mund të denoncoj”, mësohet të ketë thënë ish-ministri.

Sipas tij, gjyqtarja e çështjes në dhjetor me vendimin që mori, është bërë pjesë e farsës dhe ka folur “me gjuhën e Albana Vokshit dhe Petrit Vasilit”.

Beqaj nga ana tjetër shprehet se çfarëdo vendimi i ndikuar nga presioni publik dhe mediatik nuk mund ta njollosë emrin e tij dhe të qeverisë Rama.

“Më janë shkelur të drejtat, akuzat e mia i ka bërë PD, keni dëmtuar në mënyrë të qëllimshme procesin, nuk ka një akuzë të shkruar për atë që akuzohem, ndikimi juaj është politik, vendimet tuaja i duartroket Sali Berisha, ju dhe prokuroria nuk keni dashur të zbuloni të vërtetën, unë nuk kam mundësi të mbrohem, por vetëm të denoncoj”, ka deklaruar ish-ministri i Shëndetësisë.

Më herët, SPAK kishte ngritur akuzat penale të “shpërdorimit të detyrës” për ish-ministrin Beqaj lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë euro për “Sterilizimin”, në vitin 2015.

Ndërsa për Rrapajn dhe Rrjepajn, ngriti akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Më 30 mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë, mes tyre dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Në këto kushte, SPAK ka vënë në akuzë edhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, të cilët prej gushtit 2023 ndodhen në burg.

Ndërkohë, në korrik të ketij viti, Beqaj u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje me një tjetër dosje hetimore, atë për abuzimin me fondet e Agjencisë së Menaxhimit të fondeve të Bashkimit Europian.

Kjo çështje, përveç Beqajt, la në qeli Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollaj. Ndërsa për Elton Martinin, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”.

Fjala e plotë e Ilir Beqajt:

1.Së pari, ju si gjyqtare e seancës paraprake e keni dëmtuar procesin e rregullt ligjor dhe te drejtat e mia procedurale ne menyre te qëllimshme dhe te parekuperueshme. Une dhe avokati im e kemi te pamundur qe te mbrohemi efektivisht ne mungese te qëllimshme dhe te ripërsëritur te nje vendimi te ndërmjetëm te arsyetuar per akuza te reja te bazuara ne fakte te reja te pambështetura ne asnjë prove. Ftesa juaj per t’u mbrojtur ndaj këtyre akuzave eshte fiktive dhe ka per qellim qe te mashtroje procesin e rregullt ligjor a thua sikur ne na janë respektuar te drejtat tona procedurale dhe ne kemi qene te qarte per akuzën. Por kjo nuk eshte e vertete. Ne nuk jemi te informuar qëllimisht nga ana juaj dhe madje as organi i akuzes nuk e ka kuptuar qarte vendimmarrjen tuaj.

Jo vetëm unë, por as z. Klodian Rjepaj dhe z. Ilir Rrapaj, nuk mund te mbrohemi per akuza te pasqaruara, te pashkruara dhe qe nuk do te shkruhen ndonjëherë, por do te thuhen edhe ne themel me goje, te pambështetura ne ndonjë fakt ne akuze dhe te pambështetura ne ndonjë prove konkrete.

2.Së dyti, ju keni qene e ndikuar në këtë proces dhe vendimmarrja juaj e vërteton këtë. Ndikimi është dukshëm politik, konformist, personal dhe shoqëror. Vendimmarrjen tuaj e ka duartrokitur si z. Sali Berisha ashtu dhe znj. Albana Vokshi, sepse ju keni mbeshtetur akuzat e tyre politike. Nderkohe, vendimmarrja juaj i shkon per shtat edhe vendimmarrjes se mëparshme te paligjshme te Gjyqtarit Erion Bani paçka se çdo gjë tani është parashkruar.

Ç’rendesi ka nëse une kam vjedhur apo jo. Ne te vertete e rëndësishme eshte qe PD te kete tani goje te pretendoje qe une jam hajdut sepse deri me tani dhe shpërdorimi i detyrës nuk arrinte te mbante dot veten ne kembe.

3.Së treti, ju nuk i keni shërbyer aspak zbardhjes se plote te se vërtetës por keni dashur qe te vërtetoni vetëm te verteten e paracaktuar nga ana juaj. Ju, ashtu si dhe organi i akuzes, vazhdoni ta ndani dhe copëtoni ne menyre te pashpjegueshme fazën e lidhjes dhe zbatimit te kontratës si dy çështje te ndara, kur ne thelb, po te lexoni akuzën, eshte me shume se gjysma zbatim kontrate. Per ju nuk ka pike rëndësie vërtetimi sic duhet, me apo pa ekspertize, e demit, e ndonjë shifre, e numrit te operacioneve 50 apo 63 mije, e burimit te shtimit te kostove (FSDKSH), e burimit te pagesave jashtë përcaktimeve kontraktore per energjinë dhe ujin (FSDKSH), e përfitimit te pallogaritshëm te këtij koncesioni ne kursim, ne përfitim financiar dhe shëndetësor (në jetë).

4.Së katërti, ju qartesisht shtruat rrugën per nje ndarje artificiale te çështjes. Qe ne te tre te qendrojme ne Gjykaten e Posacme ndërsa te tjerët te shkojnë ne Gjykaten e Zakonshme. Prandaj, vertetohen apo jo akuzat per vjedhje dhe grup te strukturuar kriminal, pak rendesi ka per ju. E rëndësishme eshte qe çështjet te ndahen.

5.Së pesti, ju nuk keni asnjë ngurrim qe ashtu si dhe gjyqtari Erjon Bani, te përfitoni sa te mundni personalisht dhe mediatikisht nga kjo çështje dhe nga emri im. Ne popull ju doni te dilni si gjyqtarja qe dhatë drejtësi. Qe orientuat hetimet ne shinat e duhura. Qe zbuluat ate qe prokuroret e fshehën. Ne fakt, eshte e kundërta. Ju i prishet te gjitha. Me hetime, me proces e me akuza ne menyre te paligjshme. Për të gjitha sa me sipër, unë nuk mbrohem dot, por vetëm mund të denoncoj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë