Gazeta Si – Më 21 shkurt në orën 10:30 në Gjykatën e Tiranës do të mbahet seanca gjyqësore me objekt “zgjidhjen e martesës” mes ish-Presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Meta dhe Kryemadhi vendosën të divorcohen pas më shumë se 25 viteve martesë. Lajmin e konfirmoi vetë ish-presidenti (tanimë në qeli) në qershor të vitit të shkuar.
“Lidhur me çështjen me paditës I.M dhe të paditur M.K. Me objekt “zgjidhje martese” është caktuar seanca gjyqësore 21.02.2025, ora 10:30”, – njofton Gjykata e Tiranës.
Para arrestimit, Ilir Meta mohoi në dalje e tij publike që shkak i ndarjes mes tyre të jetë një grua tjetër, por tha se vendimin e mori për t’i shërbyer një kauze që tejkalon interesin personal.
Ilir Meta e kishte akuzuar Monika Kryemadhin për tradhti në politikë, ndërsa ish-bashkëshortja e tij tha se “Metën e kanë iluminuar të tjerët kundër meje”.
Meta, i cili ka mbajtur postin e ish-presidentit të vendit dhe ish-kryetarit të Parlamentit, ndodhet i arrestuar prej 21 tetorit 2024 dhe bashkë me Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për tre akuza: “pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish”, në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.