Drejtësia

‘Masakra e Urës Vajgurore’ në vitin 1997, SPAK kërkon burg përjetë për Fran Marashin

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar dënimin me burg për jetë për Fran Marashin, i përfshirë në atë që njihet si masakra e Urës Vajgurore gjatë trazirave të vitit 1997, ku u vranë 5 punonjës policie.

Një vendim i Gjykatës së Lartë vendosi rigjykimin e dosjes 28 vite pas masakrës. Fran Marashi pretendoi se nuk i janë respektuar të drejtat dhe lirit themelore për një proces të rregullt ligjorë duke u shprehur se nuk ka pasur dijeni për gjyqin që është bërë në vitet 1999-2000, në ngarkim të tij.

Ai shton se është  njohur me vendimin e gjykatës vetëm kur është arrestuar dhe ekstraduar nga Italia në Shqipëri në vitin 2006.

Pas rigjykimi të dosjes prokurori Alfred Shehu këtë të martë në Gjykatën e Posaçme ka lexuar konkluzionet përfundimtare dukë kërkuar mbylljen në burg për jetë për Fran Marashin.

Tashmë në seancën e radhës do të jetë fjala e mbrojtjes dhe më pas vendimi i gjykatës mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Për këtë ngjarje më herët nga gjykatat janë dhënë dhe 3 burgime të përjetshme.

Prej 13 dhjetorit Fran Marashi mbahet i izoluar në regjimin “41 biss”. Ka qenë një vendim  i ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja që firmosi urdhrin për mbajtjen e tij nën izolim për 1 vit për shkak të informacione që drejtoria e burgjeve kishte siguruar se Marashi përbënte rrezik në ambientet e burgut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë