Gazeta Si – Sali Berisha zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën “Partizani” këtë të hënë, duke mbledhur rreth Prokurorisë së Posaçme një protestë me dhjetëra demokratë dhe deputetë.
Pasi ka qëndruar 20 minuta në SPAK, duke firmosuar paraqitjen e tij, Berisha doli dhe mbajti një fjalim para mbështëtëve të tij.
Eedhe njëherë tjetër, ai ngriti akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, madje duke e quajtur atë me emrin “Altin Lala”, teksa tha se me këtë emër ka parasysh Ymer Lalën, të cilin e quajti vrasës, dosja e të cilit nuk po hetohet ndaj SPAK.
“Sot kam sjellë këtu para jush për të sjellë përsëri regjistrime të dosjeve që fsheh Altin Lala. Kur flas për Altin Lalën, kam parasysh vrasësin Ymer Lala. Pra, mbi këto dosje, mbi këto krime, fle i paguar nga krimi, mercenari i Edi Ramës, Altin Lala”, – akuzoi Berisha.
“Një informacion taze: Altin Lala është i birësuar nga Ymer Lala me të paktën 1 milionë Euro, i kishte dhënë urdhër OPGJ-së që në procesverbal të mos shënohet asnjëlloj vërejtje. Firmosa 2 procesverbale, 2 kopje mbajtën ata, një me vërejtje dhe 1 pa vërejtje. Unë pa ja paraqitur vërejtjet qytetarëve nuk mund të dal nga Skapi i partisë. Shikoni çfarë turpi janë, e kanë rrethuar me policië. Ata që kryejnë krime, ata kanë gjithmonë frikë, – tha Berisha. – Këtu në dalje, po ju lexoj kartolinën që ju dërgova krerëve të Skapit të partisë: Organizata kriminale e Skapit, e angazhguar në luftë kundër opozitës, e kryesur nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë, do të përfundojë në koshin e plehrave të shoqërisë”, – vijoi kryedemokrati.
Berisha akuzoi kreun e Prokurorisë së Posaçme, të cilin e ka quajtur “Altin Lala”, se ka urdhëruar që në procesverbalin që ai do të firmoste sot në kuadër të masës “detyrim paraqitje”, të mos kishte asnjë shënim.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së shprehet se ka firmosur 2 procesverbale, një me vërejtje dhe tjetrin pa vërejtje teksa ka thënë se oficeri me të cilin ka bërë marrëveshje, nuk ka shkelur asnjë ligj.
“Altin Lala kishte urdhëruar OPGJ-në që procesverbali të mos ketë asnjë shënim. Vetëm një injorant mund të lëshojë një urdhër të tillë. Nuk ka procesverbal në botë që përjashton shënimin. Ai që e firmos ka të drejtë të bëjë shënimin. Herën e parë ai ishte tërbuar nga publikimi i shënimit, atëherë bëmë një marrëveshje, unë do të firmos 2 procesverbale, njërin për ty dhe tjetrin për Altin Lalën. Ishte një kompromis që kishte në bazë një qëndrim timin ndaj një djali të ri. Oficeri nuk ka shkelur ligjin, ligjin e ka shkelur Altin Lala“, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati zbuloi dhe shënimin e tij në procesverbal: “Organizata kriminale e Skrapit të partisë, e angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë. Pra, do përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë dhe historisë”.
Berisha paralajmëroi se Dumani do të ketë fundin e tij, si të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë.
“Çfarë turpi, e kanë rrethuar me policë. Frikacakë. Ju asgjë s’po bëni. Organizata kriminale e ‘Skap’-it të partisë, e kryesuar nga Altin Lala (Ymer Lala), do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë. Do përfundojë në koshin e plehrave të historisë. Të vazhdojmë këtë betejë, ata do kenë atë fat që meritojnë dhe shumë shpejt. Kohërat nuk janë për diktaturat”, theksoi ai.
Berisha është shprehur se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues.
Ai ka deklaruar se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën.
Kjo është hera e dytë që Berisha do paraqitet në SPAK, ndërsa për herë të parë në zbatim të masës së sigurisë shkoi në SPAK më 6 janar.
Berishës iu rikthye masa e detyrimit të paraqitjes më 3 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, pasi SPAK ankimoi lirimin e tij.
Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në “arrest shtëpie”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.