Gazeta Si – Ish-kryeministri Sali Berisha, duhet të paraqitet të hënën (nesë 20 janar) në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, si person nën hetim për aferën e klubit sportiv “Partizani”.
Kryetari i PD, duhet të paraqitet në orën 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore. Por duket se demokratët do të veprojnë njësoj si me paraqitjen e parë të Berishës. Ata pritet të protestojnë përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
“Në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP- it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë”, thuhet në mesazhin dërguar mbështetësve të PD.
Kjo është hera e dytë që Berisha do paraqitet në SPAK, ndërsa për herë të parë në zbatim të masës së sigurisë shkoi në SPAK më 6 janar ku mblodhi vetëm një grusht militantësh.
Berishës iu rikthye masa e detyrimit të paraqitjes më 3 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, pasi SPAK ankimoi lirimin e tij.
Në paraqitjen e parë te OPGJ-ja, Berisha la edhe një shënim në fletën e detyrimit të paraqitjes.
“Ky është një akt i turpshëm politik me të cilin prokuroria në kundërshtim me Kushtetutën kërkon të më ndalohet fjala e lirë, dhe një gjykatës kukull i Partisë vendosi sipas kërkesës së tyre. Unë kam denoncuar dhe do denoncoj bashkëpunimin e Dumanit e kompani me krimin si një organizatë kriminale”, shkroi ai
Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.