Editorial

Policia duhet të flasë për ngjarjen mes policit të rrugores dhe djalit të miliarderit Mane

Nga Gazeta ‘SI’ – Pakkush po i jep rëndësi një lajmi që po qarkullon në pak media elektronike por dhe ato vizive se “polici i qarkullimit rrugor Azbi Spahiu  u hodh nga lartësia sepse i’u kërkua llogari pse ndaloi djalin e biznesmenit Samir Mane, që kishte përplasur me makinë disa automjete të tjera dhe ka kundërshtuar kryerjen e testit të alkoolit”.

Pjesë e këtij lajmi është edhe informacioni  “se Azbi Spahiu është thirrur nga zyrtarë të AMP dhe i gjendur në presion ai i ka shkruar të birit, duke thënë se po i shkatërronin karrierën me lojëra, dhe pastaj është hedhur nga lartësia”.

Zyrtarisht nuk ka asnjë njoftim nëse ky informacin me disa lajme brenda është i vërtetë. Por edhe sikur për zyrtarët e policisë të jetë i pavërtetë, ai meriton të zbardhet publikisht se nuk mund të anashkalohet në heshtje.

Megjithëse ka dy ditë që qarkullon si i vërtetë, heshtja së paku e Ministrisë së Brendshme është e pafalshme, në mos edhe fajësuese sepse ka patur edhe kohën e mjaftueshme për të zbardhur të paktën dinamikën e incidentit.

Deri në mungesë të një versioni ndryshe nga ai çfarë ka dalë deri më tani, publiku ka të drejtë të dyshojë dhe të besojë në vërtetësinë e informacionit. Nga ana tjetër Ministria e Brendshme dhe institucionet e vartësisë të lidhura me ngjarjen, nuk mund ta anashkalojnë rastin sepse nuk është një subjekt kaq i lehtë për të mos u alarmuar.

Për shkak se mbetemi në fushën e një lajmi të papërgënjeshtruar atëherë ky është një skandal i madh. Familja e policit i cili ndodhet sipas mediave në Reanimacionin e Traumës pretendon se Azbiu ka ndërrmarë këtë akt vetëvrasës pikërisht sepse duan ta ndëshkojnë ngaqë ndaloi djalin e një biznesmeni të fuqishëm që ka bërë një aksident rrugor. Duke mos ditur zyrtarisht dinamikën e kësj ngjarje askush nuk mund të thotë dot se cilat janë arsyet e vërteta qoftë të ndalimit ose jo të djalit, qoftë të hedhjes nga lartësia të policit, por të dy bashkë këta personazhe janë tashmë të pëshjellur rreth një konkluzioni të rikonfirmuar në këtë vend që paraja mund t’i shkel ligjet dhe mund t’i blejë apo të ushtrojë presion ndaj institucioneve të shtetit përmes akteve të tilla që çdo qytetarë tjetër i zakonshëm nuk do të kishte guxuar t’i bënte sepse do ishte bërë shembull.

Kush e lexon këtë ngjarje këshu siç është shërbyer deri tani ka të drejtë të mendojë se në këtë vend, uniforma e policit dhe e çdo nëpunësi tjetër vijon të nëpërkëmbet kundrejt fuqisë së parasë por jo kundrejt ligjit. Se fuqia e parasë mund të të kërcënojë me humbjen e vendit e punës dhe karrierës por dhe ca më keq akoma, të bëhet shkak për të humbur jetën.

Ka kohë që në opinionin publik është ngjizur bindja se një dorë pasanikësh jo vetëm zotërojnë shumicën e pasurisë së këtij vendi ndër më të varfërit në Europë, por edhe se diktojnë qeverisjet me ligje e rregulla të bëra enkas për përfitime vetjake. Kjo bindje i ka çuar njerëzit thjesht drejt konkluzionit se të pasurit apo të quajturit oligarkë jo vetëm bëjnë ligje, por dhe mund t’i  thyejnë ata pa dhënë llogari, ndërsa më të dobëtit nuk janë njësoj. Kjo ngjarje, duke e theksuar sërish, ende e pa konfirmuar dhe përgenjështruar zyrarisht nuk përfaqëson një incident të rëndomtë por ka ngarkesë të madhe publike dhe politike pasi përfaqëson një qasje të shtetit ndaj qytetarit në aspektin e barazisë dhe mbrojtjes nga ligji. Heshtja e deritanishme  e inkriminon policinë.

Ndaj për të gjitha arsyet e botës, Policia e shtetit  duhet të shprehet publikisht. Ajo ka dal për incidente edhe më të rëndomta se kaq, që edhe ka përgënjeshtruar veten sa herë është zënë gafil nga faktet. Heshtja e  impilikon jo vetëm policinë por gjithë qeverisjen dhe është një trishtim për qytetarët që pasurojnë memorien e mbingarkuar me një tjetër shembull që në qoftë i vërtetë do të  dëshmojë se të fortët dhe të pasurit në këtë vend ende mbajnë skllavëruar gjithë të tjerët dhe ku shteti i tyre është palë apo pjesë e zinxhirit krimial që mund të çojë lehtësisht çdo njërin prej tyre edhe drejt aktit më fatal: vetëvrasjes…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë