Ngjarje

OBSH: Fëmija 1-vjeçar nga Gaza evakuohet në Shqipëri për trajtim mjekësor

Nga Gazeta Si- Një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza është evakuuar në vendin tonë për një trajtim të specializuar mjekësor.

Lajmi është bërë i ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri, ku thekson se babi, vëllai dhe motra e vogëlushit janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në zonë e Babrrusë në kryeqytet.

OBSH shkruan se evakuimi u krye mbrëmjen e kaluar dhe fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.

“Një falenderim i madh për Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare. OBSH së bashku me partnerët mbështet koordinimin dhe fuqizimin e një mekanizmi standard, transparent të evakuimeve mjekësore”, shkruhet në njoftim.

Në aeroport, së bashku me zyrtarë të tjerë, për të pritur familjen ishte i pranishëm edhe Gazmend Bejtja, Oficer i ngarkuar i OBSH në Shqipëri.

“Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare”, shkruan OBSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë