Nga Gazeta ‘Si’- Pas homazheve që zhvilluan në Kompleksin Memorial në Reçak, krerët e Kosovës kanë mbajtur ceremoninë përkujtimore në 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut nga ku hodhën akuza drejt Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërsa tha se vrarësit e civilëve në Reçak janë të lirë në Serbi, shtoi se ka mbaruar lufta për çlirim, por jo beteja për drejtësi.
“Varre të hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin. Ajo që duhet të ndodh për pasojë është drejtësia, gjykimi dhe ndëshkimi i krimineleve qoftë edhe në mungesë.
Në vitit 1998-99 thuhej se përfundoi beteja, por jo lufta. Në raport me Serbinë tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi”, tha Kurti.
Ndërsa presidentja Vjosa Osmani tha se Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët e tij, por është një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit të Kosovës.
“Aty ku 26 vjet më parë njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre në këtë pjesë të Evropës. Në një ditë të zymtë të janarit të vitit 1999, 45 banorë të Reçakut ndër të cilët burra, gra, të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë duke shpërfaqur fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes. Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët, është një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë.
Pamjet e asaj masakre që tronditën botën dhe preken ndërgjegjen ndërkombëtare, krejt kjo në sajë të mikut tonë të madh amasadorit Wiliam Walker, i cili me guxim dhe përkushtim i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë”, tha Osmani.
Ajo akuzoi edhe presidentin serb ndërsa theksoi se kur njerëzit e Reçakut masakroheshin në Serbi, propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin me emrin, Aleksandër Vuçiç.
“Në kohën kur Reçaku dhe Kosova kërkojnë drejtësi për viktimat e pafajshme të luftës, ajo që shohim në Serbi është vazhdimësi e viteve të 90-ta, mendësi kjo që shkaktoi mbi 100 mijë civil të vrarë në këtë pjesë të Evropës.
Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin,me emrin Aleksander Vuçiç. Sot, po i njëjti nën petkun e presidentit të Serbisë vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut, e mohon atë që bota e pa me sytë e vetë e quan Millosheviçin njeri të madh me qëllime të mira.
Dhe si propagandues që është në njërën anë, flet për paqe, e në anën tjetër dërgon forca të veta paramilitare terroriste për ta sulmuar Kosovën. Por, sikurse në vitet e 90-ta njësoj edhe sot Kosova ka djem e vajza që i dalin zot atdheut dhe e mbrojnë çdo pëllëmbë të saj”, tha Osmani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.