Nga Gazeta Si- Pas 2 ditëve me borë, reshje dhe erë, situata në vend është përmirësuar.
Bazuar në informacionet e dërguara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, situata deri në orët e para të ditës paraqitet relativisht e qetë, krahasuar me ditët që lamë pas.
Nga raportimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ditën e sotme të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme por ka ende problematika në rrugët rurale.
Në bashkinë Dibër ka problematika në rrugët rurale në disa fshatra të njësive Maqellare, Melan, Luzni, Muhurr. Po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin njësinë administrative Kala e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.
Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara rrugët rurale të njësive administrative Ostren, Trebisht, Klenjë, Gjoricë, Zerqan dhe aksi rrugor Trebisht-pikë kalimi kufitar.
Ndërsa në bashkinë Klos janë të bllokuara rrugët e fshatrave me qendrat administrative Gurë dhe Xibër.
Në bashkinë Mat janë të bllokuara 2 fshatra në njësinë administrative Komsi dhe aksi rrugor Vig Macukull.
Në bashkinë Krujë po vijon puna për hapjen e rrugës që lidh fshatin Shkretë me aksin Cudhi-Qafështamë.
Në bashkinë Fushë-Arrëz vazhdon të jetë e bllokuar rruga me njësinë administrative Iballë me fshatrat e saj.
Ndërkohë, vijon puna për normalizimin e situatës në Vlorë, Pogradec dhe Has.
Sipas parashikimit të motit në ditët në vazhdim nuk do ketë prezencë të reshjeve të shiut apo të borës në të gjithë vendin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.