Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, tha se Serbia është e gatshme të mirëpresë një takim të mundshëm midis presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Serbia mund të luajë një rol të rëndësishëm si mikpritëse. Presidenti [Aleksandar] Vuçiç ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar, që na mundëson të jemi vend i takimeve të tilla”, tha Gjuriç për Radio-Televizionin e Serbisë.
Media të ndryshme ndërkombëtare janë duke raportuar ditëve të fundit për mundësinë e një takimi të tillë, derisa Trump – i cili është zotuar se do ta përfundojë shpejt luftën e Rusisë në Ukrainë – pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 20 janar.
Kremlini tha të hënën se nuk ka ende ndonjë përgatitje specifike për këtë takim, ndërsa një këshilltar i Trumpit tha se dy udhëheqësit pritet të bisedojnë përmes telefonit në ditët ose javët në vazhdim, raporton Reuters.
Sipas BBC-së, Trump ka thënë se po organizohet një takim mes tij dhe Putinit, por nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë ai. Kremlini, në përgjigje, ka thënë se është i hapur për bisedime.
Duke folur për RTS-në, Gjuriç tha se Beogradi mund të bëhet me sukses vend i takimit.
“Besoj se mund ta japim kontributin tonë dhe të luajmë një rol të vogël, por jo krejtësisht të parëndësishëm, dhe t’ua ofrojmë një gjë të tillë partnerëve tanë”, tha Gjuriç.
Për gatishmërinë e Serbisë për t’u bërë mikpritëse e mundshme e Trumpit dhe Putinit foli një ditë më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Mediat në Serbi raportojnë se ambasadori amerikan në këtë vend, Christopher Hill, tha se Uashingtoni me siguri do ta shqyrtojë idenë e tij.
“Kam parë që presidenti ka shprehur mendimin e tij. Natyrisht që ideja do të shqyrtohet në Uashington”, u tha Hill gazetarëve.
Ai shtoi se nuk ka dëgjuar ende asgjë nga Uashingtoni në lidhje me këtë propozim.
Si mikpritëse e takimit të mundshëm në fjalë është ofruar edhe Zvicra, ndërsa janë përmendur edhe Hungaria e Sllovakia.
Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Javën e kaluar, industria e saj e natës, NIS, e cila në masë të madhe është nën pronësinë e një kompanie ruse, është sanksionuar nga SHBA-ja.
Por, Gjuriç tha se Serbia i ka marrë të gjitha masat për t’i shmangur trazirat në treg.
Ai gjithashtu tha se Serbia do të nisë dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Kjo është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë. Partneriteti e bën të rregullt shkëmbimin ndërmjet institucioneve tona dhe kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, teknologjisë së re, kulturës dhe arsimit, me një numër më të madh të bursave”, tha Gjuriç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



