Nga Gazeta ‘Si’- Një person është ndaluar nga policia e Kosovës pasi përmes postimeve në rrjetin social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti.
Arrestimin e tij e ka njoftuar Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës në Prishtinë. Në njoftim thuhet se më 7 janar 2025 është iniciuar një rast për veprën penale “kanosje”, pas kërcënimeve ndaj Kurtit dhe postimeve kërcënuese për dhunë në emër të grupit të quajtur “Brigada Sever” në rrjetet sociale.
Sipas informacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës, veprimet hetimore kanë çuar në identifikimin e të dyshuarit, M. R. (mashkull kosovar, lindur në vitin 2004), i cili është arrestuar më 10 janar 2025 në Zveçan.
Gjatë ndalimit, ai është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe është kryer një kontroll në banesën e tij, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie pa leje.
Mediat në Kosovë raportojnë se me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Arrestimin e 20 vjeçarit e ka bërë të ditur edhe zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka thënë se “arrestimi është kryer për rast kanosje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.