Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dhënë dënimet ndaj 3 personave të arrestuar, të cilët akuzohen për tentativën e vrasjes ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashaj më 7 gusht 2023 në Vlorë.
Leonard Luzi u dënua me 7 vjet e 4 muaj burgim, për të cilin bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se e njohu në një burg në Itali dhe se i kishte premtuar 250 mijë euro për vrasjen e secilit.
Për të kryer vrasjet, tha gjatë pretencës prokurorja e çështjes, Doloreza Musabelliu, Amarildo Nikolli Xhejno do të ndihmohej nga Erio Zejno dhe Muharrem Koroveshi. Ky i fundit i dënua me 6 vjet e 8 muaj burg.
Për të penduarin e drejtësisë, Amarildo Nikolli alias Xhenje, u dhanë 7 vjet e 4 muaj burgim, me gjykim të shkurtuar 2 vjet e 9 muaj burgim.
Gjatë leximit të vendimit në sallën e gjyqit, Leonard Luzi shpërtheu ndaj bashkëpunëtorit të drejtësisë Amarildo Nikolli dhe prokurores së SPAK me fyerje dhe tone kërcënuese. “Do e shikojmë kur të dal nga burgu”, citohet të ketë thënë Luzi sipas burimeve paraprake.
SPAK tha gjatë pretencës se financuesi i dy ngjarjeve ishte nga Vlora dhe qëndronte në Dubai dhe se porosia ishte dhënë me qëllim të merrej nën kontroll biznesi i lojërave të fatit në qytet.
SPAK thotë se pavarësisht se të dyshuarit kanë folur me nofka, ku shënjestrat cilësoheshin si, “qorri” dhe “sakati”, ata janë identifikuar respektivisht, si Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
Ndërkohë, që dy bashkëpunëtorët janë prezantuar si “biondi”, i cili është Erio Zejno dhe “fshatari”, i cili është Muharrem Koroveshi.
Leonard Luzi dyshohet se ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, i cili duhej të ishte ekzekutori, si dhe Muharem Koroveshi dhe Elio Zejno, në rolin e ndihmësit, ky i fundit ende në kërkim.
Në dosjen e SPAK, thuhet se Koroveshi dhe Zejno kanë sjellë armët në banesën e Amarildo Nikollit, i cili do të kryente ekzekutimin dhe e kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit.
Po ashtu, dyshohet se ata do të ndihmonin Nikollin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së atentatit.
Kjo ngjarje u parandalua nga Policia e Vlorës, e cila vendosi në pranga Amarildo Nikollin në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.